Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli merr pjesë në negociatat e reja për armëpushim në Gaza

Izraeli do të marrë pjesë në negociatat këtë fundjavë në Paris me SHBA-në, Katarin dhe Egjiptin, për një marrëveshje të mundshme për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza, sipas një burimi të informuar për këtë çështje dhe mediave izraelite.

Bisedimet e fundit për një armëpushim dështuan dy javë më parë, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë si "iluzion" një propozim të Hamasit për një armëpushim 4 muajsh e gjysmë, që do të përfundonte me një tërheqje izraelite, raportoi Reuters.

Por kreu i grupit militant palestinez Hamas, Ismail Haniyeh, ishte në Egjipt këtë javë, në shenjën më të fortë që negociatat mbeten të gjalla.

Televizioni izraelit Channel 12 raportoi të enjten se kabineti i luftës kishte miratuar dërgimin e negociatorëve, të udhëhequr nga kreu i shërbimit inteligjent të Mossad, David Barnea, në Paris të premten, për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për lirimin e më shumë se 100 pengjeve të rrëmbyer nga Izraeli në tetor, për të cilët ende besohet se Hamasi po i mban.

Drejtori i CIA-s William Burns, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, do të marrin pjesë gjithashtu në takimet e Parisit, ka thënë burimi.

Urgjenca e përpjekjeve diplomatike duket se po rritet përpara festës islame njëmujore të Ramazanit, e cila fillon më 10 mars.