Të premten ka përfunduar armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, ashtu siç kanë përfunduar edhe qetësia në Gazë kur ushtria izraelite me bombardime vazhdoi fushatën ushtarake
Palestinezët në Rripin e Gazës armëpushimin e kanë quajtur gënjeshtër në ditën kur Izraeli ka vazhduar bombardimin e pjesës veriore të territorit, duke lënë mbi 100 të vdekur.
Aeroplanët izraelitë kanë bombarduar Rripin e Gazës pak minuta pasi përfundoi marrëveshja e armëpushimit të premten. Izraeli ka kërcënuar se lufta ndaj Hamasit do të vazhdojë me forcë të plotë.
Mirëpo bombardimet i kanë zënë të papërgatitur palestinezët që vetëm në gjashtë ditët e fundit patën qetësi pas një muajsh luftë.
Një prej raketave ka goditur edhe zonën e Khan Younis.
“Ne duam zgjidhje të përhershme sepse ky armëpushim është rrenë. Ka të bëjë vetëm me marrëveshje. Krejt janë rrena. Çfarë armëpushimi është ku njerëzit nga veriu nuk mund të kthehen në shtëpi?”, ka thënë Kamal Mansour, banor i Gazës.
Të premten Katari ka nisur bisedimet e reja për të vazhduar armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Por, palestinezët vazhdojnë të jenë të shqetësuar.
“Jemi vetëm gra dhe fëmijë. Nuk kemi asgjë. Nuk frikësohemi nga asgjë. Po vazhdojmë jetën si zakonisht dhe shpresoj për vazhdimin e armëpushimit sepse e duam armëpushimin”, ka thënë Fatima Nshasi, banore e Gazës.
Vazhdimi i ofensivës ka nxitur frikën për 140 pengjet që besohet se po mbahen në Gazë nga Hamasi dhe grupet e tjera militante. Më shumë se 100 të tjerë janë liruar në gjashtë ditët e para të armëpushimit.
Të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar me liderët e Izraelit dhe u ka kërkuar që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e civilëve palestinezë në luftën e tyre kundër Hamasit.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dhënë mesazhin më të rëndësishëm për Izraelin në ditën kur ka vazhduar bombardimin e Gazës pas përfundimit të armëpushimit. Blinkeni ka deklaruar se ka porositur qeverinë izraelite që të shmangë zhvendosjen masive të palestinezëve dhe të mos shkatërrojë infrastrukturën e rëndësishme, siç janë spitalet, qendrat e energjisë elektrike dhe ato për furnizim me ujë në Gazë. Mirëpo ai nuk ka vendosur vija të kuqe që do të nxisnin veprimin e SHBA-së. Sekretari amerikan ka udhëtuar drejt Izraelit të enjten, vizita e tij e katërt qëkur ka nisur lufta më 7 tetor.
Ndërkaq, agjencitë e ndihmave të OKB-së i frikësoheshin në vazhdimësi rinisjes së luftimeve në Gaza. Mëngjesin e së premtes, një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga Gaza i përshkroi skenat nëpër spitalet “si një film horror”, shkruan BBC.
Ekipi i OBSH-së vizitoi spitalin al-Ahli gjatë armëpushimit njëjavor teksa raportoi se pacientët ishin rëndë të lënduar, dyshemet e spitalit ishin gjithandej me gjatë dhe se trupat e atyre që ishin vrarë ishin rreshtuar në parkingun jashtë spitalit.
Të premten, OBSH-ja shpresonte të koordinonte ekipet mjekësore të urgjencës për të mbështetur spitalet e pakta të Gazës që janë ende duke funksionuar, por thuhet se kjo tashmë është e pamundur me rinisjen e luftimeve. Ndërkohë Unicef thotë se ndihmat që ishin dorëzuar gjatë javës së kaluar kanë qenë jetike, por jo pothuajse të mjaftueshme.
Punonjësit e ndihmës së OKB-së në Gaza kanë shumë përvojë dhe nuk po shohin konflikt për herë të parë. Por, ajo që bie në sy është tronditja e vërtetë që ata po shprehin tani për atë që po shohin. Unicef ka bërë thirrje sërish për një armëpushim të qëndrueshëm, duke paralajmëruar se “mosveprimi në thelb është një miratim për vrasjen e fëmijëve”.