Presidenti izraelit Isaac Herzog ka mohuar se Izraeli po godet spitalin më të madh të Gazës.
Raportet nga stafi i Al-Shifas sugjerojnë se objekti, që strehon mijëra palestinezë, ka mbetur pa energji elektrike.
Por, Herzog tha se “gjithçka po funksionon” në spital.
Spitali i Gazës u dëmtua për shkak të luftimeve që po zhvillohen aty pranë.
Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se kishte humbur komunikimin me kontaktet e saj në Al-Shifa, me stafin dhe pacientët të bllokuar nga luftimet jashtë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus më vonë tha se kontakti është rivendosur, por paralajmëroi për kushte “të rënda” brenda. Ai përsëriti thirrjet për armëpushim dhe tha se spitali ka tre ditë pa energji elektrike dhe ujë.
Mjekët dhe ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza kanë thënë se mungesa e karburantit do të thotë që pacientët nuk mund të operohen dhe inkubatorët për foshnjat e lindura para kohe nuk mund të funksionojnë. Por presidenti e kundërshtoi këtë.
“Ne e mohojmë plotësisht këtë, ka energji elektrike në Shifa, gjithçka funksionon”, tha Herzog.
Izraeli ka thënë se Hamasi ka një bazë nën ndërtesën e spitalit - një pretendim i mohuar nga Hamasi.
Kirurgu Marwan Abu Saada i tha BBC të shtunën se spitali kishte mbetur pa ujë, ushqim dhe energji elektrike.
Ai tha se tingujt e të shtënave dhe bombardimeve jehonin nëpër spital “çdo sekondë”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite kundëradmirali Daniel Hagari tha se Izraeli do të ndihmojë në evakuimin e foshnjave nga Al-Shifa pas një kërkese nga administrata e spitalit. Një grup mjekësh tha të shtunën se dy foshnja që kishin lindur para kohe, kanë vdekur.