Një korridor të sigurt për civilët në Gazë ka kërkuar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. Kërkesa e saj është adresuar në kohën kur po shënohet përparim në bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti për arritjen e një tjetër marrëveshjeje të armëpushimit midis Izraelit e Hamasit
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e përsëriti kërkesën për krijimin e korridoreve të sigurta për civilët në Gaza, gjatë takimit me homologun e saj palestinez, Riyad al-Maliki në Berlin, raporton agjencia “AP”.
Baerbock tha se është përgjegjësi edhe e Izraelit që të krijojë korridore të sigurta për civilët, teksa Izraeli e Hamasi po shënojnë përparim drejt një tjetër marrëveshjeje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës.
Bisedimet për armëpushim po zhvillohen me ndërmjetësimin e Katarit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Egjiptit. Izraeli e intensifikoi ofensivën në qytetin jugor, Rafah, ku janë zhvendosur mbi 1.4 milionë palestinezë.
Marrëveshja do t’u siguronte njerëzve në Gaza një pushim nga luftimet, që tanimë kanë hyrë në muajin e pestë dhe do t’u ofronte liri të paktën disa prej 100 njerëzve që ende mbahen peng në Gaza.
Izraeli i shndërroi në qëllim kryesor të luftës shkatërrimin e aftësive qeverisëse e ushtarake të Hamasit, si dhe lirimin e pengjeve.
Edhe
Izraeli dhe Gaza përgatiten për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve
Më 7 tetor mijëra militantë të Hamasit sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë, përfshirë gra e fëmijë. Me mijëra izraelitë u zhvendosën nga komunitetet e shkatërruara.
Ofensiva e Izraelit në Gaza, që erdhi si kundërpërgjigje, ka lënë më se 28 mijë të vrarë, mbi 70 për qind e tyre gra e të mitur, ndërsa ka shkaktuar shkatërrime të paimagjinueshme.
Ofensiva izraelite ka rrafshuar një pjesë të madhe të territorit të Gazës, rreth 80 për qind e popullsisë së të cilës është zhvendosur, përderisa katastrofa humanitare ka shtyrë më shumë se një të katërtën e palestinezëve në Gaza drejt urisë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të vazhdojë deri në “fitoren totale” dhe ka këmbëngulur se presioni i fortë ushtarak do të sigurojë lirimin e pengjeve - ide që aleatët e tij thonë se u përforcua nga misioni i suksesshëm i shpëtimit i ndërmarrë të hënën.
Zyrtarë të tjerë izraelitë kanë thënë se vetëm arritja e një marrëveshjeje mund të sjellë lirimin e kaq shumë pengjeve.
Marrëveshja në fund të nëntorit solli një armëpushim të shkurtër në këmbim të lirimit të rreth 100 pengjeve. Rreth 240 palestinezë të burgosur nga Izraeli u liruan gjithashtu si pjesë e marrëveshjes. Izraeli ka njoftuar se rreth 30 pengje besohet se kanë vdekur ose janë vrarë gjersa ishin në robëri, derisa trupat e tyre ende gjenden në Gaza. Tre pengje u vranë gabimisht nga forcat izraelite në dhjetor dhe një ushtare izraelite u lirua në një mision shpëtimi në javët e para të luftës.
Një zyrtar i lartë egjiptian ka theksuar se ndërmjetësit kanë arritur atë që ai e përshkroi si përparim “relativisht domethënës” në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit.
Zyrtari egjiptian ka thënë se takimi do të përqendrohej në “hartimin e një drafti përfundimtar” të një marrëveshjeje gjashtëjavore të armëpushimit, me garanci që palët do të vazhdonin negociatat drejt një armëpushimi të përhershëm.
Një diplomat perëndimor tha gjithashtu se një marrëveshje gjashtëjavore ishte në tryezë, por paralajmëroi se nevojitet ende më shumë punë për të arritur një marrëveshje.
Planet për marrëveshjen
Edhe
Izraeli kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve
Teksa zyrtarët nuk zbuluan detajet e sakta të marrëveshjes në zhvillim, palët kanë diskutuar propozime të ndryshme për javë të tëra.
Izraeli ka propozuar një armëpushim dymujor, në të cilin pengjet do të lirohen në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, dhe udhëheqësit e lartë të Hamasit në Gaza do të lejohen të zhvendosen në vende të tjera.
Hamasi i hodhi poshtë këto kushte. Parashtroi një plan me tri faza prej 45-ditëshe secila në të cilin pengjet do të liroheshin faza-faza e Izraeli do të lironte qindra palestinezë të burgosur, duke përfshirë militantë të lartë, dhe lufta do të përfundonte me tërheqjen e trupave të Izraelit. Kjo shihej si një gjë e papranueshme për Izraelin, i cili dëshiron ta shkatërrojë Hamasin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tregoi javën e kaluar në një vizitë në rajon se kishte shpresë se bisedimet mund të çonin në një marrëveshje dhe të hënën, presidenti Joe Biden sinjalizoi gjithashtu se po i afroheshin realizimit.
“Elementët kryesorë të marrëveshjes janë pothuajse gati”, ka theksuar Biden.
Ai ka thënë se SHBA-ja do të bënte “çdo gjë të mundshme” për të arritur një marrëveshje.
Rritja e numrit të të vdekurve
Shenjat e përparimit erdhën pavarësisht nga luftimet e vazhdueshme.
Palestinezët janë ende duke numëruar të vdekurit pas misionit të shpëtimit të pengjeve të Izraelit, me numrin e të vdekurve që u rrit në 74 të martën.
Edhe
Izraeli do të përgjigjet deri të premten për planin e ri të armëpushimit në Gazë
Teksa shqetësimet janë rritur për Rafahun, ku po strehohen një fluks kaq masiv palestinezësh, luftimet po vazhdojnë në të gjithë Rripin e Gazës, me ushtrinë izraelite që njoftoi se trupat po luftonin me militantët në qytetin e dytë më të madh të Gazës, Khan Younis, dhe në Gazën qendrore. Ai tha të martën se tre ushtarë u vranë në luftime, duke rritur numrin e të vdekurve midis trupave që nga fillimi i operacionit tokësor në Gaza në fund të tetorit në 232.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thotë se trupat e 133 personave të vrarë në sulmet izraelite u sollën në spitale gjatë ditës së kaluar. Vdekjet e çuan numrin e të vdekurve në Gaza në 28.473 që nga fillimi i luftës më 7 tetor, sipas ministrisë, e cila thotë se më shumë se 68 mijë njerëz janë plagosur.