Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtimi i rasteve me COVID-19 rikthen gjysmën e Italisë në izolim total

Rreth gjysma e shtetit të Italisë – përfshirë kryeqytetin Romë, kryeqendrën financiare, Milano dhe rajonin e Lazios – do të vihen në izolim të tërësishëm, duke nisur nga e hëna, si pasojë e shtimit drastik të rasteve të infektimit me koronavirus.

Qeveria italiane ka miratuar të premten kërkesën e kryeministrit Mario Draghi, për t’i dhënë dritë jeshile dekretit që do t’i kategorizonte këto rajone si pjesë e “zonës së kuqe” me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19.

Shtrëngimi i masave është miratuar teksa Italia ka regjistruar vetëm gjatë së premtes 26.824 raste të reja të infektimit dhe 380 vdekje si pasojë e prekjes nga koronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka nënshkruar dekretin që i vë rajonet e Lombardisë, Lazios, Emilia-Ramagnas, Friulio Venezia Giulias, Venetos, Piedmontit, Puglias, Marches dhe Trentos në zonën e kuqe, që nga e hëna. Campania dhe Molise veçse janë në zonë të kuqe dhe është vendosur që të mbeten aty, derisa Abruzzo, Tuscany, Calabria, Ligurio, Molise, Puglia, Sicilia, Umbria, lugina Aosta dhe krahina e Bolzanos do të vendosen në zonën portokalli, që nënkupton shkallën me rrezikshmëri më të paktë.

Kufizimet do të mbesin në fuqi deri në fundjavën e Pashkëve, gjatë së cilës i gjithë shteti, përveç Sardinias, do të klasifikohet si zonë e kuqe.

Edhe Italia nga prilli me lehtësim të masave anti-COVID Botë Italia nga prilli me lehtësim të masave anti-COVID

“Masat janë të domosdoshme për shmangien e mundësisë për përkeqësimin e gjendjes, e cila do të mund t’i bënte të pashmangshme masat edhe më të ashpra... mirëpo këto masa do të shoqërohen me mbështetje financiare për familjet dhe bizneset, si dhe me përshpejtimin e procesit të vaksinimit, i cili ofron shpresën për dalje nga pandemia”, ka thënë Draghi të premten. Ai ka specifikuar se gjatë javës së fundit është shënuar rritje prej pothuajse 5.000 pacientësh me COVID-19 të shtruar në spitale, prej të cilëve 600 janë në përkujdesje intensive.

Më shumë se 100.000 persona kanë vdekur në Itali qëkur pandemia ka mbërthyer shtetin një vit më parë, duke nxitur izolime të tërësishme për muaj të tërë dhe recesionin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore.