Fluturimet e kompanisë ajrore Ryanair për në Itali mund të suspendohen, pasi siç kanë thënë autoritetet italiane ka pasur shkelje të vazhdueshme të rregullave antiCOVID nga kompania.
Autoriteti i Aviacionit Civil në Itali (ENAC) ka thënë se Ryanair në mënyrë sistematike nuk është duke iu përmbajtur rregullave të Italisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Jo vetëm që obligimi për të mbajtur distancë fizike mes pasagjerëve nuk po respektohet, por edhe kushtet për të bërë përjashtim për atë rregull po injorohen”, ka thënë ENAC.
Nëse Ryanair vazhdon të bëjë shkelje të rregullave atëherë ENAC ka thënë se do të pezullohen fluturimet për në Itali të kësaj kompanie.
Ryanair ka mohuar këto akuza dhe ka mbrojtur praktikën e saj. Italia është një nga vendet që është goditur më së rëndi nga koronavirusi, mirëpo numri i rasteve në javët e fundit është dukshëm më i ulët se në shumë shtete në Evropë.