Islamabadi është zgjuar i përgatitur për bisedimet e mundshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. BBC raporton se nëpër qytet ka ende pika kontrolli dhe postera me mbishkrimet “Islamabad Talks” përgjatë rrugëve, por ka gjithashtu shumë pasiguri.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se një delegacion amerikan i udhëhequr nga JD Vance do të udhëtojë drejt Pakistanit, por koha se kur kjo do të ndodhë ende nuk është bërë e ditur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMendohet se ai do të duhet të ketë mbërritur tashmë, megjithatë kuptohet se ai e kaloi natën në Washington të hënën.
Arsyeja për këtë mungesë qartësie mund të jetë ngurrimi i Iranit për t’u angazhuar publikisht për pjesëmarrje.
Në vend të kësaj, në deklaratat e tyre ka ende zemërim dhe indinjatë.
Deklarata e fundit nga kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, njeriu që pritet të udhëheqë delegacionin iranian, është se Irani nuk do të pranojë negociata “nën hijen e kërcënimeve”. Ai gjithashtu akuzoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump për “shkelje të armëpushimit”.
Ai iu referua ngjarjeve në Ngushticën e Hormuzit, ku SHBA-ja ka sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, dhe i është kundërpërgjigjur bllokadës efektive të Iranit me një bllokadë të vetën ndaj porteve iraniane.
Por, siç raporton BBC, ka edhe diçka tjetër që po ndodh brenda Iranit. Linjat e ashpra po ushtrojnë presion mbi figura si Ghalibafi që të zgjedhin konfliktin në vend të diplomacisë.
Kjo përplasje e brendshme për pushtet në një vend që ka parë disa nivele të udhëheqësve të lartë të vrarë gjatë kësaj lufte është ajo që po zhvillohet prapa skenave.
Trumpi thotë se do ta zgjasë armëpushimin me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do ta zgjasë armëpushimin me Iranin deri kur Irani ta dorëzojë një propozim për t’i dhënë fund konfliktit përfundimisht.
Ai ka theksuar se ka udhëzuar ushtrinë amerikanë “ta vazhdojë bllokadën” dhe që të “mbesin të gatishmëri”.
“Bazuar në faktin se qeveria e Iranit është përçarë dhe me kërkesë të mareshalit Asim Munir dhe kryeministrit Shehbaz Sharif i Pakistanit na është kërkuar të pezullojmë sulmin në Iran deri në kohën kur liderët dhe përfaqësuesit e tyre të dalin me një propozim të unifikuar”, ka thënë ai.
Trumpi ka theksuar se armëpushimi, që do të duhej të skadonte të mërkurën, do të vazhdojë deri në përfundimin e negociata dhe deri kur t’i shkojë propozimi nga iranianët.
Hezbollahu akuzon Izraelin se shkeli armëpushimin mbi 200 herë
Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, ka akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit me më shumë se 200 herë.
Në një deklaratë të martën, Hezbollahu ka thënë se ka lëshuar raketa dhe dronë drejt forcave izraelite për herë të parë në 10 ditë të armëpushimit “në përgjigje të shkeljeve të hapura dhe të dokumentuara” nga Izraeli.
Sipas grupit, sulmet izraelite kanë goditur civilë dhe kanë shkatërruar shtëpitë e tyre në jug të Libanit, raportoi AP.
Zyrtarët e Izraelit kanë thënë se kanë qëllim ta mbajnë një zonë të ndërmjetme në jug të Libanit, derisa ushtria ka shpërndarë edhe një hartë të asaj zone duke paraqitur vijat e mbrojtjes. Kjo vijë hyn edhe brenda Libanit ku përfshihen dhjetëra fshatra banorët e të cilave nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre pas urdhrit për evakuim.
“Pezullimi” i bisedimeve SHBA-Iran – mblidhen në Shtëpinë e Bardhë zyrtarët më të lartë amerikanë
Situata në lidhje me bisedimet e reja SHBA-Iran në Islamabad mbetet shumë kaotike.
Mediat raportojnë se i dërguari special, Steve Witkoff dhe dhëndri dhe këshilltari i presidentit, Jared Kushner, janë parë duke hyrë në Shtëpinë e Bardhë të martën në mesditë me kohën amerikane.
Kjo vjen teksa, mediat po ashtu raportuan se zëvendëspresidenti JD Vance tashmë ka pezulluar udhëtimin e tij të planifikuar drejt Islamabadit për të martën në mëngjes.
Ai, së bashku me Witkoff dhe Kushner, u konfirmuan këtë javë nga Shtëpia e Bardhë si ekipi që po shkonte në Pakistan për rundin e dytë të bisedimeve, pas atij të 11 prillit, i cili ndonëse zgjati për 21 orë, rezultoi i dështuar.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është parë gjithashtu duke hyrë në ndërtesë, e po ashtu dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe zyra e zëvendëspresidentit kanë qëndruar të heshtur të martën, duke mos dhënë detaje se çfarë po ndodhte me fatin e bisedimeve, ndërkohë që zyrtarët iranianë deklaronin se nuk kishin vendosur ende të merrnin pjesë, duke përmendur “veprimet e papranueshme” nga SHBA-ja që dukej se aludohej në bllokadën e porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Vance raportohet se ka anuluar udhëtimin për në Pakistan
Bisedimet e reja për armëpushim midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë nën dyshim që nga e hëna, teksa armëpushimi dyjavor do të skadojë të mërkurën dhe ndërkohë që të dy vendet paralajmëruan se, pa një marrëveshje, ato ishin të përgatitura të rifillonin luftimet.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i cili pritej të drejtonte negociatorët e SHBA-së nëse bisedimet vazhdojnë, ka anuluar udhëtimin drejt Pakistanit, ka thënë një zyrtar i SHBA-së për AP-në. Ndërkohë, Irani ka thënë se nuk kishte vendosur nëse do të merrte pjesë.
Udhëheqësit pakistanezë, përfshirë kryeministrin Shehbaz Sharif, punuan intensivisht të martën vonë për të bindur të dyja palët të bien dakord për një rund të dytë bisedimesh për armëpushim, sipas dy zyrtarëve që kanë folur në kushte anonimiteti.
Armëpushimi parashihet të skadojë të mërkurën.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i ka thënë televizionit shtetëror të Iranit se nuk ka pasur "asnjë vendim përfundimtar" nëse do të marrë pjesë për shkak të "veprimeve të papranueshme" nga SHBA-ja, me sa duket duke iu referuar bllokadës së saj të fundit në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërsa Vance ka pezulluar udhëtimin për më shumë bisedime për armëpushim, i dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, ndodhën në Uashington të martën për konsultime se si të vazhdohej, ka thënë zyrtari.
Ai ka paralajmëruar se Trumpi mund të ndryshojë mendje për negociatat me Iranin në çdo moment dhe nuk pranoi të parashikojë se çfarë do të ndodhte nëse armëpushimi aktual skadon pa një takim tjetër në Islamabad, por vuri në dukje se Trumpi ka mundësi të tjera përveç rifillimit të sulmeve ajrore.
Irani ende s’ka vendosur nëse do të dërgojë delegacion për bisedime në Islamabad
Irani ende nuk ka vendosur nëse do të dërgojë një delegacion në Islamabad për bisedime me SHBA-në, i tha BBC-së një zëdhënës i ministrisë së Jashtme iranianë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar të martën për CNBC se "pret të bombardojë" nëse nuk arrihet përparim në bisedimet e paqes me Iranin.
Trumpi e ka bërë këtë deklaratë teksa mediat amerikane raportuan se zëvendëspresidenti JD Vance do të udhëtonte për në Pakistan të martën.
Trumpi i ka thënë po ashtu CNBC-së se nuk dëshiron të zgjasë armëpushimin, i cili do të skadojë të mërkurën.
BE-ja pajtohet për sanksione të reja ndaj iranianëve që pengojnë lëvizjen në Hormuz
Diplomatët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’u vënë sanksione të reja iranianëve që pengojnë lirinë e lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit.
“Sot kemi arritur marrëveshjen politike për të zgjeruar sanksionet që kanë cak përgjegjësit që shkelin lirinë e lëvizjes”, ka thënë shefja e politikës së jashtme Kaja Kallas pas takimit të martën në Luksemburg.
Kallas ka theksuar liria e lëvizjes nëpër ngushticë është “e panegociushme”. Ajo ka shtuar se kthimet e përditshme të anijeve janë të pamatura.
“Transiti përmes ngushticës duhet të jetë mbetet pa pagesë”, ka thënë Kallas duke iu referuar një vendimi të Iranit për pagesë për kalimin nëpër Hormuz.
Sipas Kallasit, misioni evropian detar do të ishte “mënyra më e shpejtë” për të siguruar kalim të sigurt kur paqja të arrihet.
Trumpi thotë se “pret të bombardojë” nëse nuk arrihet përparim në bisedime me Iranin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se "pret të bombardojë" nëse nuk arrihet përparim në bisedimet e paqes me Iranin.
Në një intervistë për CNBC të martën, Trumpi ka thënë se nuk dëshiron të zgjasë armëpushimin, i cili pritet të skadojë të mërkurën.
"Nuk dua ta bëj këtë. Nuk kemi shumë kohë", ka thënë Trumpi kur është pyetur për mundësinë e zgjatjes së armëpushimit.
Më parë, kryetari i parlamentit të Iranit ka deklaruar se Teherani zyrtar po përgatit "karta të reja në fushën e betejës" nëse luftimet me SHBA-në rifillojnë.
Media amerikane raporton se zëvendëspresidenti JD Vance do të udhëtojë për në Pakistan të martën, por Teherani nuk ka konfirmuar se do të dërgojë një delegacion për bisedime në Islamabad.
Uashingtoni ka shprehur besim se bisedimet me Iranin do të vazhdojnë në Pakistan dhe një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Teherani po shqyrtonte mundësinë e bashkimit.
Irani thotë se “ka karta të reja” nëse luftimet rifillojnë, Trumpi akuzon Teheranin për shkelje të armëpushimit
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, ka thënë se Teherani po përgatit "karta të reja në fushën e betejës" nëse luftimet me SHBA-në rifillojnë.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Iranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit "shumë herë", pa dhënë detaje të mëtejshme.
Armëpushimi i arritur midis dy vendeve rreth dy javë më parë, pritet të skadojë të mërkurën. Ndërkohë media amerikane raporton se zëvendëspresidenti JD Vance do të udhëtojë për në Pakistan të martën, por Teherani nuk ka konfirmuar se do të dërgojë një delegacion për bisedime në Islamabad.
Nëpër kryeqytetin e Pakistanit, ka ende pika kontrolli sigurie dhe postera ku shkruan "Bisedime Islamabad" që mbushin rrugët, por ka edhe shumë pasiguri.
E në Teheran ekziston shqetësimi se negociatat do të rezultojnë në kërkesa të bëra ndaj iranianëve që ata nuk janë gati t'i përmbushin.
SHBA-ja dhe Irani sinjalizojnë se do të rikthehen në Pakistan për bisedime
Dy zyrtarë rajonalë kanë thënë të martën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë sinjalizuar se do të zhvillojnë një rund të ri bisedimesh për armëpushimin në Islamabad.
Sipas tyre, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga as Uashingtoni dhe as Teherani për kohën e saktë të bisedimeve, ndërsa televizioni shtetëror iranian ka mohuar se ndonjë zyrtar ndodhet tashmë në kryeqytetin e Pakistanit.
Ndërmjetësuesit nga Pakistani kanë marrë konfirmim se negociatorët kryesorë, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryetari i parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf, do të mbërrijnë në Islamabad të mërkurën në mëngjes për të udhëhequr delegacionet e tyre në bisedime, kanë thënë zyrtarët për agjencinë.
Ata kanë folur në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të prononcoheshin për media.
Ndërkohë, armëpushimi dyjavor pritet të skadojë të mërkurën.