Botë

Ish-nëpunësja akuzon Facebookun për dobësimin e demokracisë

“Produktet e Facebookut i dëmtojnë fëmijët, nxisin ndasi dhe e dobësojnë demokracinë tonë”, ka thënë Frances Haugeni para Kongresit. “Udhëheqja e kompanisë e di se si t’i bëjë Facebookun dhe Instagramin më të sigurt, por nuk do t’i bëjë ndryshimet e nevojshme, ngase i ka vënë përfitimet astronomike para njerëzve”. “Veprimi i Kongresit është i domosdoshëm”, ka thënë ajo

Ish-ekspertja e të dhënave në Facebooku ka thënë të martën para Kongresit se produktet e rrjetit social i dëmtojnë fëmijët dhe nxisin polarizim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e dobësuar demokracinë, teksa ka shtuar se ekzekutivët e gjigantit social kanë fshehur hulumtimet rreth rreziqeve nga rrjeti, për t’i vënë përfitimet në rend të parë.

Dhe krejt përgjegjësinë ia ka bartur shefit ekzekutiv të gjigantit social, Mark Zuckerberg.

Frances Haugen ka dëshmuar para Nënkomitetit të Senatit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Duke folur nën konfidencialitet në seancën e tensionuar të dëgjimit, ajo ka akuzuar kompaninë se ka qenë në dijeni të dëmit të qartë shkaktuar disa të rinjve nga Instagrami dhe se ka qenë e pasinqertë në betejën e saj publike kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit.

“Produktet e Facebookut i dëmtojnë fëmijët, nxisin ndasi dhe e dobësojnë demokracinë tonë”, ka thënë Haugeni. “Udhëheqja e kompanisë e di se si t’i bëjë Facebookun dhe Instagramin më të sigurt, por nuk do t’i bëjë ndryshimet e nevojshme ngase i ka vënë përfitimet astronomike para njerëzve”.

“Veprimi i Kongresit është i domosdoshëm”, ka thënë ajo. “Ata nuk do ta zgjidhin këtë krizë pa ndihmën tuaj”.

Haugen ka theksuar se kompania ka pranuar publikisht që kontrollet e integritetit ishin të nevojshme për sistemet e saj që prekin angazhimin e përdoruesve, por më pas i ka paaftësuar disa prej tyre.

Haugeni ka thënë se beson që Facebooku nuk ka synuar të ndërtojë një platformë destruktive. Porse “në fund, puna ndalon te Marku”, ka thënë ajo duke iu referuar Zuckerbergut, i cili e kontrollon më shumë se 50-përqindëshin e së drejtës së votës në Facebook.