Ish-ekspertja e të dhënave në Facebook, Frances Haugen, ka thënë se kompania mund të përfshijë ndërmjetës për t’ua parandaluar grupeve të ndryshme që të përdoren për përhapjen e qëndrimeve ekstremiste. “Pa dyshim, kjo po e përkeqëson urrejtjen”, ka thënë ajo, duke folur para ligjvënësve në Parlamentin britanik
Sinjalizuesja e Facebookut, Frances Haugen, u ka thënë të hënën ligjvënësve britanikë se gjiganti i mediave sociale nxit urrejtje dhe ekstremizëm, nuk u ofron mbrojtje fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme dhe i mungon shtysa për zgjidhjen e problemeve, duke u dhënë kësisoj shtysë përpjekjeve të qeverive evropiane për zbatimin e rregullimeve më strikte në kompanitë teknologjike.
Derisa dëshmia e saj u ka dhënë jehonë atyre që i kishte thënë para Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillim të këtij muaji, paraqitja e saj ka tërhequr interesimin e një Komiteti parlamentar në Britani të Madhe, që po punon në hartimin e një ligji për kontrollimin e kompanive të mediave sociale.
Kritika është adresuar në po të njëjtën ditë kur Associated Press dhe disa organizata të tjera të lajmeve e nisën publikimin e rrëfimeve të bazuara në mijëra faqe të dokumenteve të brendshme të kompanisë që ajo i kishte siguruar.
Haugeni ka thënë para Komitetit të ligjvënësve britanikë se Facebooku po e shumëfishon urrejtjen online, duke pretenduar se algoritmet e tij që e prioritizojnë angazhimin në rrjet i shpijnë njerëzit drejt ekstremeve. Ish-ekspertja e të dhënave në Facebook ka thënë po ashtu se kompania mund të përfshijë ndërmjetës për t’ua parandaluar grupeve të ndryshme që të përdoren për përhapjen e qëndrimeve ekstremiste.
“Pa dyshim, kjo po e përkeqëson urrejtjen”, ka thënë ajo, duke shtuar se është shokuar kur së fundi ka dëgjuar se rrjeti social synon që ta krijojë një metavers dhe të punësojë mbi 10 mijë inxhinierë në Evropë për këtë qëllim. “Thashë ‘uee, a e dini se çfarë do të mund të bënim për sigurinë po të kishim 10 mijë inxhinierë më shumë’”, ka shtuar ajo.
Facebooku ka bërë të ditur se dëshiron rregullime për kompanitë teknologjike dhe se është i kënaqur që Britania po i prin këtij synimi.
“Derisa kemi rregulla kundër përmbajtjes së dëmshme dhe publikojmë raporte të rregullta transparence, ne pajtohemi se kemi nevojë për rregullim në të gjithë industrinë, ashtu që bizneset sikurse ky i yni të mos i marrin vendimet të vetme”, ka bërë të ditur Facebooku të hënën. Ka aluduar në investimin e 13 miliardë dollarëve në siguri që nga viti 2016 dhe ka specifikuar se “pothuajse ka përgjysmuar” sasinë e gjuhës së urrejtjes në platformë gjatë kohëve të fundit.
Por Haugeni ka akuzuar Instagramin, që është në pronësi të Facebookut, për dështimin që t’ua pamundësojë fëmijëve nën 13 vjeç – mosha minimale për përdorues – hapjen e llogarive, duke thënë se nuk po bën sa duhet për mbrojtjen e më të vegjëlve nga përmbajtja që, mes tjerash, i bën ata që të ndihen keq lidhur me trupat e tyre.
Muajin e shkuar, kompania ka shtyrë jetësimin e planeve rreth një versioni të Instagramit për fëmijë, duke aluduar në atë nën 13 vjeç, me qëllim të adresimit të shqetësimeve lidhur me brishtësinë e kësaj grupmoshe.
Haugeni ka thënë po ashtu se sistemet e Facebookut kanë dështuar në kapjen e përmbajtjeve të rrezikshme të postuara në gjuhë të tjera pos anglishtes dhe e ka cilësuar këtë si një problem të madh edhe për Britaninë e Madhe.
E pyetur gjatë paraqitjes së saj nëse beson që Facebooku është një e keqe fondamentale, Haugeni ngurroi dhe tha: “Facebooku nuk është i keq, por neglizhent”.
“Beson në një botë të sheshtë dhe nuk i pranon pasojat e veprimeve të veta”, ka shtuar ajo.
Pas paraqitjes në Londër, Haugeni është paraparë që të takohet muajin e ardhshëm me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku komisioni ekzekutiv i bllokut është duke i rishikuar të dhënat e veta digjitale për mbrojtjen më të fortë të përdoruesve të internetit, nëpërmjet mbajtjes së kompanive online përgjegjëse për përmbajtje të paligjshme apo të rrezikshme.