Botë

Ish-ministri i Qeverisë britanike sërish në dosjet e Epsteinit, dorëhiqet edhe nga Partia Laburiste

Peter Mandelson

Ish-ministri i Qeverisë britanike, Peter Mandelson, ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia në Partinë Laburiste të kryeministrit, Keir Starmer, pas raportimeve të reja për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, kanë raportuar mediat të dielën.

Sipas raportimeve, Mandelson, i cili ishte shkarkuar vitin e kaluar nga Starmer nga posti i ambasadorit të Britanisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara, pas zbulimeve të mëhershme për marrëdhëniet e tij me Epstein, ka thënë se nuk dëshiron t’i shkaktojë “turpërim të mëtejmë” Partisë Laburiste.

“Jam lidhur sërish këtë fundjavë me zhurmën që rrethon Jeffrey Epsteinin dhe ndihem shumë keq për këtë”, ka thënë Mandelson në një letër drejtuar Partisë Laburiste.

Mandelson ka deklaruar se beson se pretendimet për pagesa financiare që Epstein dyshohet se i ka bërë atij, të publikuara nga mediat britanike mbi bazën e dokumenteve të lëshuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, janë të pavërteta dhe se do t’i hetojë ato.

“Derisa ta bëj këtë, nuk dua të shkaktoj turpërim të mëtejmë për Partinë Laburiste dhe për këtë arsye po tërhiqem nga anëtarësia në parti”, thuhet në letër.

Mandelson ka qenë figurë kyçe në sukseset elektorale të Partisë Laburiste gjatë kohës kur Tony Blair ishte kryeministër, duke filluar nga vitet ’90.

Ai u kthye sërish  në vëmendje vitin e kaluar pasi ligjvënës amerikanë publikuan dokumente që përfshinin një letër, në të cilën Mandelson e kishte quajtur Epsteinin “mikun tim më të mirë”, çka çoi në largimin e tij nga posti i të dërguarit britanik në Washington.

Karriera e tij politike ka qenë e shoqëruar edhe më herët me polemika. Në vitin 1998, ai dha dorëheqje nga posti i ministrit të Tregtisë për shkak të një huaje që kishte marrë nga një koleg ministër për të blerë një shtëpi, mes dyshimeve për konflikt interesi.

Një mandat i dytë në kabinet përfundoi gjithashtu me dorëheqje në vitin 2001, kur ai u përfshi në një skandal të supozuar lidhur me pasaporta, që përfshinte një miliarder indian. Më vonë, Mandelson u lirua nga akuzat për veprime të pahijshme.

Ndërkohë, kryeministri Keir Starmer ka deklaruar të shtunën se ish-Princi britanik Andrew duhet të dëshmojë para një komisioni të Kongresit amerikan, pas zbulimeve të reja për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.