Ish-ministri i financave, Rishi Sunak, ka fituar mbështetjen më të madhe nga ligjvënësit konservatorë të mërkurën, në votimin e parë për të zgjedhur se kush do ta pasojë Boris Johnsonin si lider partie dhe kryeministër britanik, raportoi Reuters.
Sunak, dorëheqja e të cilit si ministër i financave javën e kaluar ndihmoi në përshpejtimin e rënies së Johnsonit, siguroi mbështetjen e 88 prej 358 deputetëve të partisë, ndërsa e dyta u rendit ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt me 67 vota dhe e treta, ministrja e Jashtme, Liz Truss me 50 vota.
Nadhim Zahawi, i cili mori postin e ministrit të Financave nga Sunaku javën e kaluar dhe ish-ministri i Jashtëm, Jeremy Hunt, u eliminuan pasi nuk arritën minimumin e kërkuar prej 30 votash.
Votimet pasuese do të mbahen midis ligjvënësve konservatorë, duke eliminuar kandidatin me më pak vota çdo herë, për të ngushtuar garën në dy kandidatë më 21 korrik.
Udhëheqësi i ri më pas do të zgjidhet nga 200 mijë anëtarët e partisë konservatore, ndërsa shpallet kryeministër më 5 shtator.