Ish-kreu i Federatës së Futbollit të Republikës së Afrikës Qendrore, Patrice Edouard Ngaissona, po përballet me akuza për krime kundër njerëzimit.
Ai thuhet se ka drejtuar një grup krishterësh, anti-Balaka, dhe së bashku me Alfred Yekatom, po akuzohen për sulme kundër myslimanëve të vendit në periudhën 2013-2014.
Ish-kolonia franceze ishte përfshirë nga trazirat në 2013-n kur një grup rebelësh të grupit Seleka morën pushtetin në vend me shumicë të krishterë.
Kundër tyre ishte ngritur anti-Balaka, në kohën kur presidenti Francois Bozize, ishte përjashtuar nga pushteti.

Në këtë konflikt ishin vrarë mijëra persona derisa më pas, Kombet e Bashkuara kishin njoftuar se mbi një milion njerëz ishin larguar nga shtëpitë e tyre.
Ngaissona thuhet se kishte kryer vrasje, tortura dhe rekrutim të fëmijëve ushtarë. Ai ishte ndaluar të kandidojë për president më 2015 për shkak të dyshimeve që ishin ngritur ndaj tij.
Ai kishte qenë edhe kryetar i Federatës së Futbollit në CAR dhe kishte shërbyer si ministër i Sportit.
“Nëse pohimet do të ishin të vërteta, nuk do të isha sot këtu. Nuk përzihem në polikë, gjithçka çfarë kam bërë, kam bërë për vendin tim”, kishte deklaruar për AFP.
Autoritetet franceze e kishin arrestuar atë në dhjetor të 2018-s.