Pasi u përball me përndjekje nga ish-partneri, Sally iu bashkua një aplikacioni takimesh që premtonte siguri për gratë. Por shpejt ky aplikacion u bë shkas i një prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave, ku mijëra gra u ekspozuan publikisht. Historia e Sallyt i nxjerr në pah rreziqet reale të teknologjive që pretendojnë të mbrojnë, por në fakt, mund të dëmtojnë edhe më shumë.
Sally ishte përndjekur nga ish-i saj.
Pasi e përfunduan lidhjen e tyre, ai filloi të shfaqej papritmas në vendin ku ajo punonte, madje edhe në shtëpitë e miqve të saj. Kjo e bëri që ajo të ndihej shumë e pasigurt dhe në fund ishte e detyruar të ndryshonte vendbanim.
Kur më në fund vendosi të kthehej përsëri në botën e takimeve, ajo ishte shumë e kujdesshme dhe e rezervuar. Për këtë arsye, vendosi të regjistrohej në një aplikacion të ri takimesh, ku gratë kishin mundësi ta kontrollonin sfondin e burrave që po i takonin dhe t’i ndanin përvojat e tyre me të tjerat.
Ky aplikacion, i quajtur Tea Dating Advice, ishte me bazë në Shtetet e Bashkuara dhe ishte i qasshëm vetëm për përdoruesit amerikanë. Ai ofronte mundësinë që gratë të sinjalizonin nëse një burrë ishte i martuar apo edhe nëse ishte regjistruar si keqbërës seksual.
Për më tepër, aplikacioni i lejonte përdoruesit të bënin kërkime të kundërta me imazhe, për të kontrolluar nëse ndonjë person përdorte identitete të rreme. Gjithashtu, mund të vendosje flamuj të kuq apo të gjelbër si paralajmërim për personat që takoje, dhe përdoruesit kishin mundësinë të ndanin edhe thashetheme.
Ky aplikacion u krijua në vitin 2023 dhe brenda pak kohësh u bë shumë i popullarizuar në SHBA, duke arritur në vendin e parë në listën e aplikacioneve më të përdorura gjatë muajit korrik të këtij viti. Mendohet se tashmë ka mbi një milion përdorues aktivë.
Sally, emri i së cilës është ndryshuar për ta ruajtur privatësinë, e kishte tërhequr vëmendjen të lexonte atë që njerëzit thoshin për burrat në zonën ku ajo jetonte. Por ajo vuri re se aplikacioni kishte një atmosferë disi thashethemesh dhe se shumë nga informacionet që qarkullonin nuk ishin gjithmonë të besueshme.
Në fund të muajit korrik, aplikacioni u sulmua nga hakerët. Më shumë se 70.000 imazhe u publikuan dhe u postuan në një forum online të quajtur 4chan - përfshirë dokumente identiteti dhe selfie të përdoruesve, të cilat ishin menduar të fshiheshin menjëherë pas verifikimit.
Kjo rrjedhje e të dhënave u përdor nga grupe mizogjene në internet, dhe brenda pak orësh u krijuan disa faqe të tjera që synonin t’i poshtëronin gratë që ishin regjistruar në aplikacion.
Në rrjetet sociale u publikuan dy harta që tregonin mbi 33.000 pika në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke i treguar vendndodhjet e këtyre grave. Sally, e shqetësuar shumë, u përpoq ta kërkonte adresën e saj në këto harta.
Dhe e gjeti - edhe pse nuk ishte lidhur me emrin e saj, adresa e saktë e shtëpisë së saj ishte shfaqur për të gjithë që të shihnin. Kjo e bëri atë të ndihej shumë e frikësuar, pasi kishte frikë se ish-i i saj që e kishte përndjekur, mund të gjente mënyrë për ta ndjekur tani. “Ai më parë nuk dinte se ku isha duke punuar ose ku jetoja, dhe unë kam bërë shumë përpjekje që ta mbaj këtë sekret”, thotë ajo. “Jam shumë e shqetësuar”.
BBC-ja njoftoi kompaninë Google për dy hartat e publikuara në Google Maps, që pretendonin t’i tregonin vendndodhjet e grave që ishin regjistruar në Tea.
Google u përgjigj se këto harta i shkelnin rregullat e tyre kundër ngacmimeve dhe i fshiu ato. Pas rrjedhjes së të dhënave, mbi 10 gra kanë nisur padi kolektive kundër kompanisë që e zotëron aplikacionin Tea.
Një përfaqësues i aplikacionit Tea tha se po punojnë për t’i identifikuar dhe njoftuar përdoruesit që janë prekur nga ky incident, duke u informuar sipas ligjeve në fuqi. Ata shtuan se personave të prekur do t’u ofrohen shërbime për mbrojtje nga vjedhja e identitetit dhe monitorim i kredive.
Po ashtu, kompania tha se ka shtuar burimet për ta përmirësuar sigurinë e përdoruesve aktualë, se janë krenarë për atë që e kanë ndërtuar dhe se misioni i tyre është më i rëndësishëm se kurrë më parë.
Mizogjinistët i “vlerësojnë” selfiet e publikuara
Që nga rrjedhja e të dhënave, BBC-ja ka zbuluar faqe interneti, aplikacione dhe madje edhe një “lojë” që i përfshijnë të dhënat e publikuara, duke nxitur ngacmim ndaj grave që ishin regjistruar në aplikacion.
“Loja” vendos selfiet e grave përballë njëra-tjetrës dhe i udhëzon përdoruesit ta zgjedhin atë që preferojnë, duke krijuar lista me “Top 50” dhe “Bottom 50”. BBC-ja nuk arriti ta identifikojë krijuesin e kësaj faqeje interneti.
Përdorues jashtë këtyre grupeve mizogjiniste gjithashtu kanë shpërndarë përmbajtje tallëse për pamjen e grave në platforma si “X” (ish-Twitter) dhe “TikTok”.
Kanë filluar të shfaqen edhe versione kopje të aplikacionit Tea për burra - por nuk ka asnjë sugjerim që ata e bëjnë këtë për arsye sigurie. Në vend të kësaj, përdoruesit postojnë komente të ashpra dhe fyese për gratë.
Në disa video të regjistruara nga ekrani dhe të siguruara nga BBC-ja, përdoruesit komentojnë për seksualitetin e grave dhe postojnë imazhe intime të tyre pa pëlqimin e tyre, brenda këtyre aplikacioneve.
BBC-ja gjithashtu identifikoi më shumë se 10 grupe të quajtura “Tea” në aplikacionin “Telegram”, ku burrat ndajnë imazhe seksuale të grave, dukshëm të krijuara me inteligjencë artificiale, për t’i vlerësuar apo për të bërë thashetheme. Ata gjithashtu i postojnë llogaritë e tyre në rrjetet sociale, duke e zbuluar identitetin e tyre.
Një zëdhënës i Telegram tha se “pornografia e paligjshme është rreptësishtë e ndaluar” dhe “hiqet sapo zbulohet”.
Avokati John Yanchunis, që e përfaqëson njërën nga gratë në një çështje gjyqësore kundër kompanisë që e zotëron aplikacionin, tha se klientja e tij ka përjetuar abuzim të madh në internet.
“Kjo i ka shkaktuar asaj një stres të jashtëzakonshëm emocional,” tha ai për BBC-në. “Ajo u bë objekt talljeje”.
Një shfrytëzim i pritshëm i rrjedhjes
Aplikacioni ishte kritikuar që kur filloi të bëhej i famshëm. Përhapja e thashethemeve të pabazuara dhe publikimi i të dhënave personale pa leje ishin gjithmonë një rrezik i mundshëm.
Grupet e burrave e kishin në shënjestër aplikacionin për ta rrëzuar dhe kur zbuluan rrjedhjen e të dhënave, e panë si një mundësi për hakmarrje.
“Kjo rrjedhje u përqafua nga komunitetet mizogjiniste si një kauzë e madhe, me të cilën ata ndihen krenarë”, thotë Callum Hood, drejtues i kërkimeve në Qendrën për Luftën kundër Urrejtjes Digjitale.
Ai shton se mbi 12.000 postime në 4Chan e kanë përmendur aplikacionin Tea nga 23 korriku (tri ditë para rrjedhjes) deri më 12 gusht.
Një ndarje mes burrave dhe grave?
Në internet, rrjedhja e të dhënave nga aplikacioni Tea po përshkruhet si pjesë e një “lufte gjinore” dhe pika e fundit në marrëdhëniet romantike heteroseksuale.
Ka prova në rritje që tregojnë se të rinjtë heteroseksualë po largohen gjithnjë e më shumë nga takimet tradicionale dhe marrëdhëniet afatgjata.
Përvojat negative në takimet online po e shtojnë këtë tension.
Një studim i vitit 2023 nga Pew Research në SHBA tregoi se mbi gjysma e grave kishin përvoja negative në aplikacionet e takimeve, ku gratë raportonin më shpesh sjellje të padëshiruara nga burrat dhe ndiheshin të pasigurta.
Sociologia Dr. Jenny Van Hooff nga Universiteti Metropolitan i Manchester thotë se ndjenja e pasigurisë ndikon në dëshirën e grave për të përdorur aplikacione takimesh.
Një ide që u kthye në kaos
Para aplikacionit Tea, grupe në rrjete sociale me emrin “A jemi duke u takuar me të njëjtin djalë” kishin ekzistuar prej vitesh në mbarë botën, me mijëra ndjekës.
Fillimisht, ato u vlerësuan si një mënyrë për t’i mbajtur burrat përgjegjës. Por, ashtu si Tea, u përfshinë nga polemikat, dhe shumë burra ndiheshin të keqinterpretuar nga postimet.
Me mbi një milion përdorues, aplikacioni Tea e çoi këtë ide në një shkallë të re.
Por ekspertët kanë ngritur gjithashtu pyetje mbi motivet fitimprurëse të aplikacionit, si dhe për besueshmërinë e informacionit të postuar.
Për gratë që e përdorin aplikacionin për arsye sigurie, verifikimi i informacionit është sfidues. Ndërsa burrat, që nuk kanë qasje në aplikacion, nuk mund të mbrohen nëse postohen informacione të pavërteta për ta.
Dr. Van Hooff thotë se rrjedhja e të dhënave “po i vërteton arsyet pse gratë mendonin se një aplikacion i tillë ishte i nevojshëm”.
“Kjo ngjarje nuk po i largon gratë nga mendimet e tyre për burrat dhe sjelljen mashkullore, përkundrazi, po i përforcon ato”.
Ajo beson se siguria e grave është vënë në rrezik, ndërsa burrat ndihen sikur veprimet e tyre janë keqinterpretuar dhe përdorur për thashetheme.
Për Sallyn, një nga gratë e prekura, rrjedhja e të dhënave ka ndikuar drejtpërdrejt në ndjesinë e saj të sigurisë.
“Po shpërngulem për të jetuar me të afërmit e mi, vetëm që të ndihem e sigurt,” thotë ajo.