Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani u bën thirrje vendeve myslimane ta sanksionojnë Izraelin

Anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike (OIC) duhet të vendosin embargo nafte dhe sanksione të tjera ndaj Izraelit dhe të dëbojnë të gjithë ambasadorët izraelitë, ka thënë ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian.

Një takim urgjent i OIC-së u mbajt në qytetin saudit të Jeddah për të diskutuar përshkallëzimin e konfliktit izraelito-palestinez, pas shpërthimit në një spital në Gaza që la rreth 400 të vdekur.

“Ministri i Jashtëm bën thirrje për embargo të menjëhershme dhe të plotë ndaj Izraelit nga vendet islamike, duke përfshirë sanksionet e naftës, së bashku me dëbimin e ambasadorëve izraelitë nëse janë vendosur marrëdhëniet me regjimin sionist”, ka thënë Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë.

Amirabdollahian gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një ekipe juristësh islamikë për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës të kryera nga Izraeli në Gaza.

Irani nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Para shpërthimit të së martës në një spital të Gazës, autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se të paktën 3 mijë njerëz ishin vrarë gjatë bombardimeve 11-ditore nga Izraeli. Rreth 1400 është numri i viktimave në Izrael nga sulmet e Hamasit.