Lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka deklaruar të martën se kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt kufizimit të programit bërthamor të Teheranit zyrtar, janë “të tepërta” dhe “të papranueshme”, ka raportuar Reuters.
“Nuk mendoj se bisedimet nukleare me SHBA-në do të sjellin rezultate. Nuk e di se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Khamenei, tek ka shtuar se Washingtoni zyrtar duhet të tërhiqet nga kërkesat e “papranueshme e të tepërta” në negociata.
Pavarësisht pritshmërisë se një rund i pestë i negociatave mund të zhvillohet gjatë kësaj fundjave në Romë të Italisë, bisedimet bërthamore janë në pikë kritike pasi që si SHBA-ja ashtu dhe Irani janë përplasur rreth çështjes së “pasurimit me uranium”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, pati deklaruar të hënën se bisedimet janë të prira të dështojnë, nëse SHBA-ja këmbëngul që Irani të kufizojë pasurimin me uranium, për të cilin Washingtoni zyrtar paralajmëron se është rrugë e mundshme për të zhvilluar armë nukleare.
Ndërkaq, Teherani ka përsëritur thirrjet se programi i energjisë nukleare është plotësisht për qëllime paqësore.
Deri më tani, janë mbajtur katër takime të drejtpërdrejta midis Iranit dhe SHBA-së, tre prej tyre në Muskat të Omanit dhe një në Romë të Italisë, të gjitha të ndërmjetësuara nga përfaqësuesit e Omanit. Përpara tyre, pati edhe disa takime indirekte.
Bisedimet synojnë ta kufizojnë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve të rënda ekonomike që SHBA-ja i ka vendosur ndaj Republikës Islamike, teksa armiqësia ndërmjet dy vendeve po vazhdon për më shumë se katër dekada.
Gjatë mandatit të tij të parë si president, Trumpi pati tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore që vendoste kufizime të rrepta në aktivitetet e pasurimit me uranium të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare.