Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara konfirmuan se një raketë iraniane tokë-ajër ka qëlluar një dron ushtarak në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit, raportojnë mediat.
Reuters, Fox News dhe AP cituan zyrtarë anonimë duke thënë se droni i marinës amerikane MQ-4C Triton është rrëzuar të enjten.
Raportet pasojnë një deklaratë të mëhershme të Gardës Revolucionare të Iranit, e cila pretendonte të ketë qëlluar një dron amerikan.
Megjithatë, Korpusi i Gardës Revolucionare, tha se akti ka ndodhur mbi provincën jugore të Iranit, Hormozgan, ndërsa burimet amerikane thanë se droni ka qenë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur është qëlluar, transmeton rel.
“Droni u rrëzua kur hyri në hapësirën ajrore të Iranit, pranë qarkut Kouhmobarak në jug”, tha Korpusi i Gardës Revolucionare.
Edhe
SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme pas vdekjes së dy ushtarëve amerikanë
Kouhmobarak ndodhet 1,200 kilometra në juglindje të Teheranit dhe pranë Ngushticës së tensionuar të Hormuzit.
Kjo ngushticë është vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, e identifikoi dronin si RQ-4 Global Hawk.
Raportet vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, që kanë rritur frikën edhe për mundësinë e një konflikti të armatosur në rajon.
Sulmet e fundit mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit dhe në afërsi të Ngushticës së Hormuzit e kanë përkeqësuar po ashtu situatën. Uashingtoni e fajëson Iranin për këto incidente, ndërsa Teherani mohon çdo përfshirje.
Tensionet morën hov edhe të hënën, kur Irani tha se brenda dhjetë ditësh, do të shkelë kufirin e përcaktuar me fuqitë ndërkombëtare, mbi rezervat e tij me uranium të pasuruar.
Edhe
Irani intensifikon sulmet ndaj bazave amerikane në shtetet e Gjirit
Irani tha se do të rrisë prodhimin e uraniumit në përgjigje të sanksioneve ekonomike nga Shtetet e Bashkuara.
Këtë javë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se do të dërgojë 1,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, për shkak të, siç u shpreh, “sjelljes armiqësore” të forcave iraniane.