Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani prezanton raketën e parë balistike hipersonike

Irani ka prezantuar të martën atë që zyrtarët e kanë përshkruar si raketën e tij të parë balistike hipersonike të prodhuar në këtë vend, shkroi Reuters.

Siç ka raportuar agjencia zyrtare e lajmeve “IRNA”, ky njoftim pritet të rrisë shqetësimet perëndimore për aftësitë raketore të Teheranit.

Media shtetërore iraniane publikoi fotografi të raketës me emrin “Fattah” në një ceremoni ku morën pjesë presidenti Ebrahim Rahisi dhe komandantët e Korpusit elitë të Gardës Revolucionare të Iranit.

"Raketa hipersonike Fattah ka një rreze veprimi prej 1400 km dhe është e aftë të depërtojë në të gjitha mburojat e mbrojtjes", citohet të ketë thënë Amirali Hajizadeh, kreu i forcës ajrore të Gardës.

Raketat hipersonike mund të fluturojnë të paktën pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe në një trajektore komplekse, gjë që e bën të vështirë kapjen e tyre. Vitin e kaluar, Republika Islamike tha se ka ndërtuar një raketë balistike hipersonike.

Pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së dhe Evropës, Republika Islamike ka thënë se do të zhvillojë më tej programin e saj të raketave mbrojtëse. Megjithatë, analistët ushtarakë perëndimorë thonë se Irani ndonjëherë ekzagjeron aftësitë e tij raketore.