Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani “premton masa” ndaj Rusisë nëse përdorën dronët e tij në Ukrainë

Irani nuk do të qëndrojë indiferent nëse vërtetohet se dronët e tij po përdoren nga Rusia në luftën e Ukrainës, tha të hënën ministri i jashtëm iranian, mes akuzave se Republika Islamike e ka furnizuar Moskën me dronë për ta sulmuar Ukrainën, raportoi Reuters.

“Nëse na vërtetohet se dronët iranianë po përdoren në luftën kundër njerëzve të Ukrainës, ne nuk duhet të qëndrojmë indiferentë”, ka thënë Hossein Amirabdollahian.

Megjithatë, Amirabdollahian tha se bashkëpunimi i mbrojtjes mes Teheranit dhe Moskës do të vazhdojë.

Britania, Franca dhe Gjermania kërkuan të premten një hetim të Kombeve të Bashkuara për akuzat që Rusia ka përdorur dronë të prodhuar në Iran për ta sulmuar Ukrainën, me çka dyshohet se ka shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Duke cituar diplomatë të ndryshëm, javën e kaluar është raportuar se përveç dronëve të tjerë shtesë, Irani i ka premtuar Rusisë t'i sigurojë edhe raketa tokësore.