Prokurori i Shtetit në Iran, Mohammad Jafar Montazeri, njoftoi të shtunën mbrëma se e ashtuquajtura Policia e moralit, është larguar nga autoritetet e drejtësisë, raportoi të dielën mediumi francez “LeMonde”.
Sipas tij, kjo Polici më “nuk ka asnjë lidhje me gjyqësorin dhe është shfuqizuar nga ata që e kanë krijuar”. Për këtë ende nuk janë deklaruar krerët iranianë të shtetit.
Njoftimi erdhi pasi autoritetet vendosën ta rishikojnë ligjin e miratuar në 1983-n, për mbulesën e detyrueshme në Iran.
Ky ligj i Policisë, detyronte gratë të mbuloheshin në hapësirë publike dhe t'iu përmbaheshin rreptë kodeve të veshjes.
Policia e moralit, e njohur si “Gasht-e Ershad”, u krijua kur në pushtet ishte presidenti Mahmoud Ahmadinexhad, për të përhapur “kulturën e mirësjelljes dhe hixhabin”.
Kjo Polici përbëhej nga burra me uniforma jeshile, që patrullojnë që nga 2006-a.
Sipas mediumit francez, roli i Policisë ka evoluar me kalimin e viteve, por ka qenë përçarës
Gratë që shkelnin kodin e veshjes së Iranit, rrezikonin të kapeshin nga kjo Polici. Autoritetet iraniane thanë se tash po shqyrtohet edhe çështja e obligueshmërisë së hixhabit.
Diskutimet për Policinë e moralit nisën nga vdekja e gruas kurde, Mahsa Amini, që vdiq tre ditë pasi u arrestua nga Policia e moralit për shkak se sipas tyre, nuk ishte e mbuluar “siç duhet”.
Vdekja e saj solli protesta dhe kryengritje të mëdha, kryesisht të grave iraniane. Nga protestat humbën jetën mbi 300 persona.