Botë

Tmerri nga policia e moralit në Iran

Më 7 mars 1979, lideri i revolucionit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, dekretoi se hixhabet do të ishin të detyrueshme për të gjitha gratë në vendet e tyre të punës dhe se ai i konsideronte gratë e pambuluara si

Vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini, pasi u ndalua nga e ashtuquajtura policia morale e Iranit ka shkaktuar protesta masive, me gratë që djegin shamitë e tyre si akt sfidues rezistence kundër kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike dhe atyre që e zbatojnë atë.

Gasht-e Ershad (Patrullat e bindjes) janë njësi speciale të policisë të ngarkuara me sigurimin e respektimit të moralit islam dhe të ndalojnë njerëzit që perceptohen si të veshur "në mënyrë të pahijshme".

Sipas ligjit iranian, i cili bazohet në interpretimin shtetëror të Sheriatit, gratë janë të detyruara të mbulojnë flokët e tyre me hixhab (shami) dhe të veshin veshje të gjata dhe të gjera për të mbuluar trupin e tyre.

Amini dyshohet se kishte flokë të dukshme nën shaminë e saj kur u arrestua nga policia e moralit në Teheran më 13 shtator. Ajo ra në koma menjëherë pasi u ndalua në një qendër paraburgimi dhe vdiq tri ditë më vonë në spital. Forca iraniane mohoi njoftimet se oficerët e goditën në kokë me shkop dhe e përplasën në një nga automjetet e tyre.

Në një intervistë të rrallë, një oficer i policisë morale foli në mënyrë anonime për BBC-në për përvojën e tij të punës në forcë.

“Ata na thanë se arsyeja pse po punojmë për njësitë e policisë morale është për të mbrojtur gratë”, tha ai. “Sepse nëse nuk vishen siç duhet, atëherë meshkujt mund të provokohen dhe t'i dëmtojnë”.

Ai tha se ata punonin në ekipe prej gjashtë vetash, të përbërë nga katër burra dhe dy gra, dhe u fokusuan në zonat me trafik të lartë dhe ku mblidhen turma.

"Është e çuditshme, sepse nëse thjesht do t'i udhëzojmë njerëzit, pse duhet të zgjedhim një vend të dendur me njerëz, kjo potencialisht do të thotë se mund të arrestojmë më shumë njerëz?" “Është sikur po dalim për gjueti”.

Oficeri shtoi se komandanti i tij i thoshte se nuk po punonte siç duhet nëse nuk identifikonte mjaft njerëz që shkelnin kodin e veshjes dhe se e kishte veçanërisht të vështirë kur njerëzit i rezistonin arrestimit.

"Ata presin që ne t'i fusim me forcë brenda në furgon. A e dini sa herë jam përlotur duke e bërë atë?"

"Dua t'u them atyre se nuk jam një prej tyre. Shumica prej nesh janë ushtarë të zakonshëm që kalojnë shërbimin tonë të detyrueshëm ushtarak. Ndihem shumë keq".

Mst: Dekreti post-revolucionar

Lufta e autoriteteve iraniane kundër "hixhabit të keq" - mbajtja e shamisë ose veshjeve të tjera të detyrueshme në mënyrë të gabuar - filloi menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, qëllimi kryesor i të cilit ishte t'i bënte gratë të visheshin në mënyrë modeste.

Ndërsa shumë gra e bënin këtë në atë kohë, minifundet dhe flokët e pambuluar nuk ishin pamje të rralla në rrugët e Teheranit përpara se të rrëzohej Shahu properëndimor Mohammad Reza Pahlavi. Gruaja e tij Farah, e cila shpesh vishte veshje perëndimore, u konsiderua si shembull i një gruaje moderne.

Brenda disa muajsh nga themelimi i Republikës Islamike, ligjet për mbrojtjen e të drejtave të grave që ishin vendosur nën Shahun filluan të shfuqizoheshin.

"Nuk ndodhi brenda natës, ishte një proces hap pas hapi", tha Mehrangiz Kar, 78 vjeçe, një avokate dhe aktiviste për të drejtat e njeriut që ndihmoi në organizimin e protestës së parë kundër hixhabit.

"Menjëherë pas revolucionit kishte burra dhe gra në rrugë që ofronin shami falas për gratë, të mbështjella me letër dhurate".

Më 7 mars 1979, lideri i revolucionit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, dekretoi se hixhabet do të ishin të detyrueshme për të gjitha gratë në vendet e tyre të punës dhe se ai i konsideronte gratë e pambuluara si "të zhveshura".

"Ai fjalim u prit nga shumë revolucionarë si një urdhër për të detyruar vendosjen e hixhabit në kokën e grave", tha zonja Kar, e cila tani ndodhet në Uashington DC. "Shumë menduan se kjo do të ndodhte brenda natës, kështu që gratë filluan të rezistojnë".

Ato u përgjigjën menjëherë. Më shumë se 100 mijë njerëz, kryesisht gra, u mblodhën në rrugët e Teheranit të nesërmen - Ditën Ndërkombëtare të Gruas - për të protestuar.

Mst: “Kreativiteti” i shtetit

Pavarësisht dekretit të Ayatollah Khomeinit, u desh pak kohë që autoritetet të vendosnin se çfarë konsiderohej veshje "e duhur" për gratë.

"Nuk kishte udhëzime të qarta, kështu që [ata] dolën me posterë dhe pankarta që tregonin modele, të cilat ishin varur në muret e zyrave. Ata thanë se gratë duhet të ndiqnin këto udhëzime [për mbajtjen e hixhabit] ose nuk mund të hynin", shpjegoi zonja Kar.

Deri në vitin 1981, grave dhe vajzave u kërkohej ligjërisht të mbanin veshje modeste "islamike". Në praktikë kjo do të thoshte të vishje një chador - një mantel në të gjithë trupin, shpesh i shoqëruar nga një shami më e vogël përfund - ose një shami dhe një pallto që mbulonte krahët.

"Por lufta kundër hixhabit të detyrueshëm vazhdoi në nivele individuale. Ne ishim krijues në mbajtjen e shamisë ose mosmbulimin e flokëve siç duhet", tha zonja Kar.

“Çdo herë që na ndalonin, ne luftonim”.

Në vitin 1983, parlamenti vendosi që gratë që nuk i mbulonin flokët në publik mund të dënoheshin me 74 goditje me kamxhik. Kohët e fundit, shtoi dënimin deri në 60 ditë burg.

Autoritetet megjithatë, kanë luftuar për të zbatuar ligjet që atëherë dhe gratë e të gjitha moshave shihen shpesh duke i shtyrë kufijtë në publik, duke veshur pallto të ngushta, të gjata deri në kofshë dhe shami me ngjyra të ndezura të shtyra prapa për të ekspozuar shumë flokë.

Mst: Qasje e ngathët

Masa në të cilën këto rregulla janë zbatuar dhe ashpërsia e dënimeve të dhëna kanë ndryshuar gjatë viteve varësisht presidentit që ka qenë në pushtet.

Kryebashkiaku i atëhershëm ultra-konservator i Teheranit, Mahmoud Ahmadinejad, u përpoq të shfaqej më progresiv për këtë çështje kur po bënte fushatë për presidencën në vitin 2004. "Njerëzit kanë shije të ndryshme dhe ne duhet t'u shërbejmë të gjithëve", tha ai në një intervistë televizive.

Por menjëherë pas fitores së tij në zgjedhje vitin e ardhshëm, Gasht-e Ershad, u krijua zyrtarisht. Deri atëherë, kodet e veshjes ishin kontrolluar joformalisht nga njësi të tjera të zbatimit të ligjit dhe paraushtarake.

Policia e moralit shpesh kritikohet nga publiku për qasjen e saj të ashpër, dhe gratë shpesh ndalohen dhe lirohen vetëm kur një i afërm duket se jep garanci se do t'u përmbahen rregullave në të ardhmen.

"Unë u arrestova me vajzën time kur na ndaluan për shkak të buzëkuqit", tha një grua nga qyteti qendror i Isfahanit për BBC-në.

“Na çuan në komisariat dhe i kërkuan burrit tim të vinte dhe të firmoste një copë letër që nuk do të na linte të dilnim pa hixhab”.

Një grua tjetër, nga Teherani, i tha BBC-së se një oficere femër tha se çizmet e saj mund të ishin "shumë erotike" për burrat dhe e ndaloi atë.

“Telefonova burrin tim dhe i kërkova të më sillte një palë këpucë”, tha ajo.

“Më pas firmosa një letër ku pranoja se kisha veshur rroba të papërshtatshme dhe tani kam precedentë penalë”.

Raportime të tjera të përvojave me policinë e moralit, të cilat janë ndarë me BBC-në, përfshijnë rrahje dhe dënime më mizore dhe të pazakonta.

Një grua tha se policia e kërcënoi se do t'i vendoste insekte në trupin e saj gjatë një prej arrestimeve të saj.

Mst: Goditje e re

Presidenti Ebrahim Raisi, një klerik i linjës së ashpër që u zgjodh vitin e kaluar, nënshkroi një urdhër më 15 gusht për të zbatuar një listë të re kufizimesh.

Ato përfshinin futjen e kamerave të vëzhgimit për të monitoruar dhe gjobitur gratë e pambuluara ose për t'i referuar ato për "këshillim" dhe një dënim të detyrueshëm me burg për çdo iranian që vinte në dyshim ose postonte përmbajtje kundër rregullave të hixhabit në internet.

Kufizimet çuan në një rritje të arrestimeve, por gjithashtu shkaktuan një rritje të numrit të grave që postonin foto dhe video të tyre pa shami në mediat sociale - diçka që është intensifikuar vetëm në ditët pas vdekjes së zonjës Amini.

Masih Alinejad, një gazetare dhe aktiviste tani me qendër në SHBA, thotë se protestat që kanë shpërthyer që nga vdekja e zonjës Amini janë thellësisht personale.

Gjatë viteve, ajo ka drejtuar disa fushata virale kundër ligjeve të hixhabit, duke përfshirë #mystealthyprotest dhe shumë të tjerë, përfshirë qeverinë, e shohin atë si një forcë instrumentale pas trazirave aktuale.

Gratë filluan të hiqnin shamitë e tyre dhe t'i tundnin në ajër në funeralin e zonjës Amini në qytetin perëndimor të Saqezit të shtunën.

Në ditët që pasuan, ato kanë dalë në rrugë në të gjithë vendin dhe disa janë filmuar duke ua vënë flakën hixhabeve të tyre për brohoritjet e protestuesve meshkuj.

"Kur ato e bënë këtë, më kujtoi kohën kur njerëzit filluan të rrëzonin murin e Berlinit, është ai moment", tha zonja Alinejad.

"Ajo që më bën shumë emocionale dhe me shpresë është se kjo është hera e parë që këto vajza nuk janë vetëm. Tani burrat po qëndrojnë së bashku me gratë".

Përktheu: Forca Jashari