Botë

Irani kërcënon marrëveshjen Azerbajxhan-Armeni

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev & presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump & kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev & presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump & kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan

Irani ka kërcënuar me bllokimin e një korridori të planifikuar në Kaukaz, në kuadër të marrëveshjes së sponsorizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Korridori, i propozuar me emrin “Rruga e Trumpit për Paqe Ndërkombëtare dhe Prosperitet (TRIPP)” parashihet të kalojë në Armeninë jugore dhe t’i japë qasje Azerbajxhanit direkt në enklavën e Nakhchivanit e për në Turqi.

SHBA-ja e ka të drejtën ekskluzive në korridor, që sipas Shtëpisë së Bardhë, do të lehtësojë eksportin e energjisë dhe burimeve të tjera.

Nuk ishte e qartë ende se si Irani, që është në kufi të kësaj zone, do të tentojë bllokimin e korridorit, por deklarata nga këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Akbar Velayati, ka nxitur shqetësime.

Ai ka thënë se stërvitjet e ushtrisë në Iranin veriperëndimor kanë demonstruar gatishmërinë dhe vendosmërinë e Republikës Islamike për të parandaluar “ndryshime gjeopolitike”.

“Ky korridor s’do të bëhet një rrugë nën pronësinë e Trumpit, por varrezë për mercenarët e tij”, ka thënë ai.

Ministria e Jashtme e Iranit më herët e mirëpriti marrëveshjen duke e cilësuar hap të rëndësishëm për paqen rajonale, por më pas paralajmëroi kundër ndërhyrjeve të jashtme afër kufijve të tij sepse “do të minonin sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”.

Megjithatë, sipas analistëve, Irani që u përball me sulme izraelite e amerikane në qershor për 12 ditë, nuk ka fuqi ushtarake që ta bllokojë korridorin.