Botë

Irani i premton FIFA-s prani të grave nëpër stadiume

Shtëpia e futbollit, FIFA, ka marrë garanci nga autoritetet iraniane se grave do t’u mundësohet hyrja në stadium për ndeshjet kualifikuese të Iranit.

Zyrtarët e FIFA-s, gjatë javëve të fundit, kanë qenë në Iran për të diskutuar rreth përgatitjes së ndeshjes kundër Kamboxhias, ndeshja e parë e kualifikimeve për Botërorin e vitit 2022.

Prania e grave nëpër stadiumet e Iranit ka marrë vëmendje të madhe kur në fillim të muajit shtator, fansja Sahar Kudairi, e njohur me emrin “Vajza e kaltër”, për shkak të ngjyrave të ekipit që e pëlqente, ia vuri flakën vetes para një gjykate pasi frikësohej se do të burgosej për gjashtë muaj. Ajo sakrifikoi jetën e saj, pasi hyri në stadium e maskuar si burrë.

“Na kanë garantuar se në ndeshjen e ardhshme të Iranit, gratë do të mund të hyjnë në stadiume. Kjo është e rëndësishme ,sepse nuk ka ndodhur qe 40 vjet dhe duhet të ecim përpara”, ka thënë Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, transmeton KTV.

Përveç premtimeve që do t’i lejojë gratë nëpër stadiume, numri një i FIFA-s deklaroi se është duke punuar me federatën e futbollit iranian për ta krijuar ligën e futbollit të femrave, që do të ishte një hap i madh për shtetin islamik.

Irani lejoi vetëm gratë e huaja që të shikojnë ndeshje, por që prej revolucionit islamik të vitit 1979, gratë vendase e kanë të ndaluar shkuarjen në stadium.

Zyrtarët e FIFA-s janë duke i përcjellë me vëmendje ngjarjet në Iran, por edhe vetë shtëpia e futbollit botëror ka marrë kritika.

Criag Fosteri, ish-kapiten i përfaqësueses së Australisë, i ka bërë thirrje FIFA-s që ta heqë nenin që parasheh gjoba e dënim për diskriminimin në baza gjinore, për shkak se ky ligj nuk respektohet as nga vetë shtëpia e futbollit.

“Statuti i FIFA-s thotë se diskriminimi në baza gjinore dënohet me suspendim ose përjashtim. Nëse ky statut nuk respektohet nga vetë FIFA, atëherë tërhiqeni këtë nen. Për momentin, edhe pse ka premtime, barazia gjinore është një gënjeshtër”, ka thënë Craig Fosteri, ish-kapiten i përfaqësueses së Australisë.