Botë

Irani e bllokon internetin në përpjekje për t’i ndalur protestat

Irani e ka ndalë internetin në disa pjesë të Teheranit dhe Kurdistanit, e po ashtu e ka bllokuar qasjen në platformat si Instagram dhe WhatsApp, në përpjekje që ta ndalojë rritjen e protestës për vdekjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini në paraburgim.

Protestat, të cilat kanë nisur më 16 shtator, pas vdekjes së gruas kurde, nuk tregojnë shenja se do të zbuten. Vetëm të enjten, protestuesit dogjën stacionet e policisë dhe veturat e tyre në disa qytete, raportoi The Guardian të enjten.

Deri tani raportohet për të paktën 31 të vdekur si pasojë e protestave.

Kjo vjen pasi demonstratat kundër regjimit u përhapën në hapësirën kibernetike, me video të grave që digjnin hixhabet e tyre, e të cilat shpejt u bën virale.

Gra të tjera kanë postuar video emocionuese në të cilat presin flokët në shenjë proteste nën hashtagun #Mahsa_Amini.

Amini u arrestua më 16 shtator për dyshimin se mbante një shami me hixhab në një mënyrë "të pahijshme". Aktivistët thanë se gruaja, emri i parë kurd i së cilës është Jhina, kishte pësuar një goditje fatale në kokë, një pretendim i mohuar nga zyrtarët. Policia vazhdon të thotë se ajo ka vdekur për shkaqe natyrale, por familja e saj dyshon se ajo u është nënshtruar rrahjeve dhe torturave.

Në përgjigje të vdekjes së saj, SHBA-së vendosi policinë morale të Iranit në listën e zezë të sanksioneve të enjten.