Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Inteligjenca ruse pretendon se Franca po përgatitet të dërgojë 2,000 trupa në Ukrainë

Drejtori i Shërbimit Inteligjent rus, Sergey Naryshkin, ka thënë se ai “ka informacione sipas së cilave Franca tashmë po përgatitet ta dërgojë në Ukrainë një kontingjent ushtarak”.

Naryshkin ka thënë se informacioni që ka marrë Rusia ka dhënë indikacione se Franca po përgatit një forcë prej 2,000 trupash dhe se “një njësi e tillë ushtarake nuk mund të transferohet ose stacionohet në Ukrainë pa u vërejtur”.

“Kështu që, do të bëhet objektiv primar legjitim për sulm nga forcat e armatosura ruse”, ka thënë ai, raportoi Kyivpost e që ka qarkulluar nëpër mediat ruse.

Ky raportim ka ardhur pas deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron, se nuk përjashtonte nevojën që forcat perëndimore të dërgoheshin në Ukrainë për ta parandaluar fitoren e Rusisë.

Megjithatë, Ministria franceze e Mbrojtjes ka reaguar duke mohuar informacionet që Rusia ka pretenduar se i posedon. Ajo ka thënë se pretendimet e Naryshkinit janë një tjetër shembull i “dezinformatave sistematike” të Kremlinit.