Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Inteligjenca britanike: Anija ruse u shkatërrua me raketat e dhuruara nga perëndimi

Në raportin e përjavshëm, Inteligjenca britanike njoftoi se anija ruse që u shkatërrua më 17 qershor nga forcat ukrainase, u qëllua me raketa anti-anije, të njohura si Harpoon.

Raketat e tilla, siç thuhet në raportin e publikuar të martën në Twitter, u dhuruan nga shtetet perëndimore. Ato patën sukses duke qëlluar drejt në objektiv.

“Objektivi i sulmit ishte rimorkiatori detar rus Spasatel Vasily Bekh, që po dërgonte armë dhe personel ushtarakë në ishullin ‘Gjarpër’ në veriperëndim të Detit të Zi. Shkatërrimi i anijes ruse me mision furnizimi i tregon vështirësitë me të cilat po përballet Rusia kur përpiqet t’i mbështesë forcat e saj që po pushtojnë ishullin”, thuhet në raport.

Anija e quajtur “Vasily Bekh”, ishte e fundit e serisë së anijeve ruse të shkatërruara. Më e njohura nga ato që u shkatërruan mbetet “Moskva”.

“Aftësitë e mbrojtjes detare të Ukrainës kanë neutralizuar aftësinë Rusisë për të vendosur kontrollin e detit dhe për të projektuar forcën detare në veriperëndim të Detit të Zi. Kjo ka minuar projektin rus për të futur nën kontroll Odesën”, thotë Inteligjenca britanike.

Luftimet po vazhdojnë në Ukrainë. Në 24 orët e fundit, tre ukrainas u vranë e të paktën shtatë u plagosën nga bombardimet ruse në rajonin e Kharkivit. U raportua edhe për një zjarr në një fabrikë për përpunimin e gazit në Izium.