Botë

Inflacioni në Eurozonë arrin shifër rekorde

Inflacioni në vendet që përdorin euron vendosi një tjetër rekord, nxitur nga një rritje e madhe e kostove të energjisë, e shtyrë pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë, shkruan AP.

Inflacioni vjetor në 19 vendet e Eurozonës arriti në 8.6% në qershor, duke kaluar 8.1% të regjistruar në maj, sipas shifrave të fundit të publikuara të premten nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat. Inflacioni është në nivelin më të lartë që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave për euron në vitin 1997.

Çmimet e energjisë u rritën me 41.9%, dhe çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 8.9%, të dyja më shpejt se rritjet e regjistruara muajin e kaluar.

Kërkesa për energji është rritur pasi ekonomia globale u rikthye nga problemet e pandemisë COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i përkeqësoi gjërat.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, duke shkaktuar rritje të çmimeve. Blloku 27-vendesh dëshiron të ndëshkojë Moskën dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse, por gjithashtu po shton “dhimbjen” financiare për njerëzit dhe bizneset ndërsa faturat e shërbimeve dhe çmimet në rritje po vazhdojnë të rriten.