Inflacioni në 19 vendet që përdorin monedhën euro shënoi një rekord prej 8.1% në maj, mes rritjes së kostove të energjisë, të shkaktuar pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë, thanë autoritetet të martën, shkruan ABCNews.
Inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4% të arritur në mars dhe prill, sipas të dhënave më të fundit nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat.
Çmimet e energjisë u rritën me 39.2%, duke theksuar se si lufta dhe kriza globale e energjisë po e bëjnë jetën më të shtrenjtë për 343 milionë banorët e Eurozonës.
Inflacioni në Eurozonë është tani në nivelin më të lartë që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave për euron në vitin 1997. Shifrat e fundit shtojnë presionin mbi politikëbërësit e Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normat e interesit nga nivelet tepër të ulëta për të frenuar çmimet në rritje.
Çmimet e ushqimeve gjithashtu u rritën me 7.5%, shtoi Eurostat - një tjetër shenjë se si lufta po i rrit çmimet në mbarë botën, sepse Rusia dhe Ukraina janë furnizuesit kryesorë globalë të ushqimit. Çmimet për mallra si veshje, elektroshtëpiake, vetura, kompjuterë dhe libra u rritën me 4.2%. Çmimet për shërbimet u rritën me 3.5%, sipas Eurostat.