Botë

“India hyjnore” me tempull kundërthënës

Ceremonia e së hënës përmbush një premtim të gjatë për votuesit nga Modi dhe qeveria e tij e Partisë Bharatiya Janata (BJP) që i shtyu ata në pushtet në 2014. Për vite të tëra Modi dhe aleatët e tij politikë u zotuan të ndërtonin një tempull në vendin e një xhamie të shekullit të 16-të që u shkatërrua nga ekstremistët e dhunshëm hindu në sulmin vdekjeprurës të vitit 1992

Miliona njerëz në mbarë Indinë kanë dalë për ta parë inaugurimin e tempullit të madh hindu të hënën, në një ceremoni që konsiderohet si moment kurorëzimi i ambicieve nacionaliste hindu të kryeministrit Narendra Modi, muaj përpara se ai të nisë fushatën për mandatin e tretë me radhë në zgjedhjet e sivjetme.

Inaugurimi i Ram Janmabhoomi Mandirit - tempull kushtuar Lord Ramit - në Ayodhya të Indisë veriore është duke u bërë më shumë se 30 vjet dhe pritet t’i japë një shtysë të madhe fushatës zgjedhore të Modit.

Ram Mandir është realizimi i ëndrrës së Modit për të krijuar atë që e ka quajtur një “Indi e re”, të cilën shumë e konsiderojnë si transformimin e vendit në komb të pastër hindu.

Për kundërshtarët e Modit, inaugurimi i tempullit është përfundimi i fushatës së dekadave për të tërhequr Indinë nga rrënjët laike mbi të cilat u themelua vendi pas pavarësisë.

“Sot ka ardhur Zoti ynë Ram. Pas shekujsh pritjeje, Rami ynë ka ardhur. Pas shekujsh durimi, sakrifica të panumërta, heqje dorë dhe pendime, Zoti ynë Ram ka mbërritur”, ka theksuar Modi në një fjalim para një turme prej 7 mijë personash që përfshinte yje të filmit, lojtarët më të mirë të kriketit dhe magnatë, nga tempulli i sapondërtuar i stolisur me lule shumëngjyrëshe. “Rami nuk është mosmarrëveshje, është zgjidhja”, ka shtuar ai.

“India e re”

Ceremonia e së hënës përmbush një premtim të gjatë për votuesit nga Modi dhe qeveria e tij e Partisë Bharatiya Janata (BJP) që i shtyu ata në pushtet në 2014.

Për vite të tëra Modi dhe aleatët e tij politikë u zotuan të ndërtonin një tempull në vendin e një xhamie të shekullit të 16-të që u shkatërrua nga ekstremistët e dhunshëm hindu në sulmin vdekjeprurës të vitit 1992 që goditi lëvizjen nacionaliste hindu të vendit.

Shkatërrimi i xhamisë, i nxitur nga BJP-ja dhe grupe të tjera të krahut të djathtë, e katapultoi partinë në politikën kryesore, duke fituar zgjedhjet e përgjithshme katër vjet më vonë.

Modi nuk e përmendi drejtpërdrejt Xhaminë Babri në fjalimin e tij, as myslimanët e vendit, shumë prej të cilëve ndjejnë dhimbje dhe trishtim për ngjarjet që kanë ndodhur në Ayodhya. Ai foli për ecjen përpara dhe “fillimin e një cikli të ri kohor”.

“Nga sot, nga kjo kohë e shenjtë, ne duhet të hedhim themelet për 1 mijë vitet e ardhshme. Duke ecur përpara ndërtimit të tempullit, tani ne të gjithë bëjmë betimin për të ndërtuar një Indi kombëtare, të aftë, të suksesshme, të bukur dhe hyjnore”, ka thënë Modi.

Brenda vendit të shenjtë të tempullit të hënën, Modi kryesoi Pran Pratishthan, ose ceremoninë e shenjtërimit, të idhullit të Lord Ramit, një nga hyjnitë më të nderuara të hinduizmit.

Jashtë, helikopterët ushtarakë fluturuan mbi tempull dhe qytet duke lëshuar petale lulesh mbi objektin e madh dhe turmat poshtë.

Ndër folësit në këtë ngjarje ishte Mohan Bhagwat, shefi i Rashtriya Swayamsevak Sanghut (RSS), organizata mëmë e krahut të djathtë të BJP-së, i cili tha se tempulli “është bërë simbol i një Indie të re që do të qëndrojë e lartë”.

“Është thënë, dhe ne e dimë, se sot në Ayodhya, së bashku me Zotin Ram, vetvetja e Indisë është kthyer”, ka theksuar ai.

Yogi Adityanath, kryeministri i shtetit Uttar Pradesh ku ndodhet Ayodhya dhe një nga figurat politike më polarizuese të vendit, e quajti Ram Mandirin “tempullin kombëtar” të Indisë dhe një “ritual të rëndësishëm të rizgjimit kulturor”.

Gjatë gjithë ditës, flamujt e shafranit u valëvitën lart dhe lulet e marigoldit zbukuruan hyrjet e ndërtesave teksa dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën në rrugët e qytetit antik për të festuar.

“Për 500 vjet Zoti Ram jetonte në një kasolle”, ka thënë për CNN besimtari Acharya Mohanjodaro Bharadwaj, duke iu referuar momentit kur u ndërtua xhamia e epokës Mughal. “Sot Modi e bëri atë të ulet brenda një tempulli, i gjithë vendi po e feston atë sikur të ishte Diwali”.

Festimet u mbajtën në të gjithë vendin, me politikanët që inkurajonin njerëzit të merrnin pjesë në festime në shtëpitë dhe tempujt e tyre, duke u siguruar se do të ishte një ngjarje kombëtare.

Uttar Pradesh e shpalli të hënën një festë publike, me shkollat dhe dyqanet e pijeve të mbyllura në të gjithë shtetin.

Qindra anëtarë të diasporës indiane u mblodhën në Nju Jork të dielën për të festuar inaugurimin nën një imazh masiv të Lord Ram të projektuar në një ekran në Times Square. Ambasadat indiane në mbarë botën organizuan festa.

Polemikat për tempullin

Teksa miliona hindu festuan hapjen e kompleksit të shumëpritur, i cili shihet prej tyre si vendlindja e Ramit, për popullsinë pakicë myslimane të vendit, është një kujtesë e dhimbshme e ndarjeve fetare nga të cilat ata kanë frikë se po bëhen më të theksuara nën qeverinë e BJP-së të Modit.

Vendi i tempullit dikur ishte shtëpia e Babri Masjid, një xhami e shekullit të 16-të, e ndërtuar gjatë perandorisë Mughal që sundoi Indinë nga 1526 deri në 1858.

Por vendndodhja është diskutuar për dekada.

Shumë hindu besojnë se xhamia është ndërtuar mbi rrënojat e një tempulli hindu, që supozohet se është shkatërruar nga Babar, perandori i parë Mughal i Azisë Jugore.

Në vitin 1992, të nxitur nga BJP-ja dhe grupe të tjera të krahut të djathtë, ekstremistët hindu sulmuan xhaminë, duke shkaktuar dhunë të përhapur komunale që la të vdekur më shumë se 2 mijë njerëz në mbarë vendin.

Dhuna ishte një nga më të këqijat e parë në Indi që nga përleshjet e përgjakshme që shoqëruan ndarjen pas pavarësisë në vitin 1947.

Në vitet në vijim, nacionalistët hindu u mblodhën për të ndërtuar Ram Mandirin në vendin e xhamisë së shkatërruar, duke krijuar skenën për një përballje emocionale dhe të ngarkuar politikisht që zgjati me dekada.

Gjykata e Lartë e Indisë në vitin 2019 u dha leje hinduve për të ndërtuar tempullin në vendin e kontestuar, duke i dhënë fund në mënyrë efektive mosmarrëveshjes. Ajo u pa si një fitore për Modin dhe mbështetësit e tij, por ishte një goditje për shumë myslimanë, për të cilët shkatërrimi i xhamisë Babri mbetet një burim tensioni i thellë dhe humbje historike.

Ayodhya është shtëpia e rreth 3 milionë njerëzve, duke përfshirë rreth 500 mijë myslimanë – dhe disa prej tyre kanë frikë nga sulmet në ditën e inaugurimit të tempullit.

Shumë prej tyre kanë ndarë mesazhe mbështetjeje për njëri-tjetrin në mediat sociale, me mesazhe WhatsApp që i bëjnë thirrje komunitetit të përmbahet nga udhëtimet në trena dhe autobusë publikë për sigurinë e tyre.

Maulana Badshah Khan, 65 vjeç, së fundmi i tha CNN se do të qëndrojë në shtëpi të hënën.

“Plagët e shembjes së Xhamisë së Babrit do të jenë gjithmonë prezente. Ani pse nuk e shprehim dhimbjen, ka theksuar Khan. “Tempulli ka vlerën simbolike për t’u treguar myslimanëve vendin e tyre në Indinë e Re”.

“Vijat e paqarta” mes fesë dhe shtetit

Të tjerët e kanë akuzuar Modin për “armatosje” të besimit hindu dhe duke përdorur Tempullin Ram për përfitime politike.

“Kundërshtimet përfshijnë faktin se Modi nuk është një udhëheqës fetar dhe kështu nuk është i kualifikuar për të udhëhequr ceremoninë dhe se një tempull hindu nuk mund të shenjtërohet përpara se të përfundojë”, ka thënë një deklaratë nga Hindus për të Drejtat e Njeriut.

Modi u ngrit në pushtet në vitin 2014 me një zotim për të reformuar ekonominë e vendit dhe për të futur në një epokë të re zhvillimi – por ai gjithashtu shtyu fuqishëm një agjendë Hindutva, një ideologji që beson se India duhet të bëhet një tokë për hindutë.

Premtimi i tij për të ndërtuar Ram Mandirin ndihmoi në nxitjen e atij suksesi fillestar zgjedhor.

Hapja e tempullit të së hënës pritet gjerësisht të rrisë shanset e Modit për të fituar një mandat të tretë të rrallë në zgjedhjet e përgjithshme që priten më vonë këtë vit, duke e realizuar premtimin e tij për miliona votues.

Në prag të inaugurimit, Modi agjëroi dhe u lut në një ritual 11-ditor të zhytur në simbolikën fetare hindu. Si pjesë e ritualeve, Modi vizitoi faltoret dhe tempujt e lidhur me Lord Ramin në të gjithë vendin.

“Zoti më ka bërë një instrument për të përfaqësuar të gjithë njerëzit e Indisë gjatë shenjtërimit”, ka theksuar ai në një mesazh të regjistruar në kanalin e tij në YouTube.

Të dielën, Modi postoi një video të tij në faqen e mediave sociale X duke ecur në det dhe duke u zhytur nën ujë në tempullin Arulmigu Ramanathaswamy në shtetin jugor të Tamil Nadu.

Nilanjan Mukhopadhyay, autor i “The Demolition and the Verdict”, libër për prishjen e xhamisë në vitin 1992, ka thënë se vendimi i Modit për t’i kryesuar festimet e së hënës është një shenjë e “hegjemonisë hindu” në Indi.

Përktheu: Blerta Haxhiu