Ne’man Abu Jaradin dhe familja e tij janë zhvendosur 11 herë gjatë luftës në Gazë, duke përjetuar lodhje, dëshpërim dhe pasiguri të vazhdueshme. Të detyruar të lëvizin nga një vend në tjetrin për të shpëtuar nga bombardimet dhe sulmet, ata përballen me mungesë ushqimi, strehim të pasigurt dhe një të ardhme të errët. Situata e tyre pasqyron vuajtjet e pafundme të shumë familjeve palestineze në zonë
(AP) – Lodhja, dëshpërimi dhe zemërimi po e lodhin Ne’man Abu Jaradin. Për herë të 11-të, ai dhe familja e tij janë detyruar të largohen dhe të zhvendosen brenda Rripit të Gazës.
“Është një rifillim i torturës. Nuk po zhvendosemi, po vdesim”, tha Ne’mani javën e kaluar, ndërsa familja po mblidhte gjërat dhe çadrat në qytetin e Gazës, për të ikur nga bombardimet izraelite që po shtoheshin, përpara një pushtimi të mundshëm të qytetit.
Të nesërmen, ata u vendosën në jug të Gazës, në një tokë bujqësore të thatë pranë qytetit Khan Yunis, pa e ditur se ku do të gjenin ushqim apo ujë.
Kjo ka qenë jeta e familjes Abu Jarad për gati dy vjet, që kur u larguan nga shtëpia e tyre në veri të Gazës, disa ditë pas nisjes së sulmeve të Izraelit, si reagim ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Si shumë familje palestineze, ata kanë ikur nga një vend në tjetrin, duke u zhvendosur çdo disa muaj, ndërsa Izraeli godet çdo vend ku ata strehohen. Agjencia e lajmeve Associated Press ka ndjekur pjesë të udhëtimit të tyre.
Gjatë armëpushimit që nisi në janar, ata u kthyen në shtëpinë e tyre. Ishte e dëmtuar, por ende qëndronte në këmbë. Por brenda dy muajsh, armëpushimi u prish dhe familja duhej të largohej sërish.
Sa herë që zhvendosen, Ne’mani dhe gruaja e tij Majida përpiqen t’u japin pak stabilitet vajzave të tyre - gjashtë vajza dhe një mbesë 2-vjeçare, mes jetës së vështirë në çadra. Më e vogla është Lana, 8 vjeçe. Më e madhja është Balsam, në të 20-at dhe e martuar.
Por ndjenja e pafuqisë po rritet. Nuk ka shenja që kjo të përfundojë, dhe Ne’mani ka frikë se situata do të përkeqësohet.
“Ajo që po vjen është diçka e errët”, tha ai. “Mund të na dëbojnë nga Gaza. Mund të vdesim… Ke ndjesinë se vdekja është kudo rreth teje. Vetëm ikim nga një vend në tjetrin, duke u larguar nga vdekja”.
Sërish të zhvendosur
“Për vajzat është edhe më e vështirë. Sa herë që mësohen me një vend, duhet të ndryshojnë përsëri”, tha Majida.
Që nga maji, familja jetonte në një çadër në qytetin e Gazës. Nuk ishte e lehtë, por të paktën njihnin lagjen dhe fqinjët. Kishin gjetur se ku mund të merrnin ujë dhe ndihmë mjekësore.
Vajzat mund të takonin shoqet e tyre të vjetra, që ishin zhvendosur afër. Një familje në një ndërtesë pranë i lejonte vajzës së tyre, Sarah, të përdorte internetin për të ndjekur mësimet online të shkollës së mesme. Vajzat shkarkonin libra në telefon për të mësuar ose thjesht për të kaluar kohën.
Gjetja e ushqimit ishte më e vështirë, pasi ndihmat për qytetin e Gazës ishin të kufizuara dhe kishte krizë urie. Ne’mani bashkohej me qindra njerëz që prisnin kamionët e ndihmave që hynin nga Izraeli. “Ishte e rrezikshme – ushtarët izraelitë hapnin zjarr drejt turmave dhe Ne’mani pa njerëz që vriteshin ose plagoseshin”, tha Majida. “Por ndonjëherë ai arrinte të sillte ushqim”.
Pak javë më parë, ata gjetën një shkollë për Lanën. “Ishte shumë e gëzuar. Mendoi se jeta e saj do të kishte pak rregull”, tha Majida.
Por Izraeli urdhëroi popullsinë të evakuohej, duke u përgatitur për një sulm të ri në qytetin e Gazës, me synimin për të luftuar Hamasin, për t’i liruar pengjet dhe për të marrë kontrollin e sigurisë në territor. Bombardimet po afroheshin. Një sulm shkatërroi një pallat vetëm një bllok larg dhe copëza të tij goditën edhe çadrën e tyre. Një tjetër goditi një shtëpi përballë, duke vrarë anëtarët e një familjeje që ishin ulur jashtë, tha Ne’mani.
Lana kishte shkuar vetëm tri ditë në shkollë. Por tashmë duhej të largoheshin. Të enjten e kaluar, ata iu bashkuan turmës së madhe të palestinezëve që po iknin drejt jugut.
Stresi kërcënon familjen
Duke qenë e veshur me pizhame rozë dhe mbështetur te babai i saj në kampin e ri ditën tjetër, Lana përshkruan ndarjen nga shoqet e saj më të mira, Sila dhe Joudi, kur ato po linin Gazën. Lana ka treguar se ato e përqafuan dhe i thanë se e donin, derisa ishin duke qarë.
“Po unë nuk qava”, shtoi ajo me vendosmëri. “Nuk do të qaj aspak. Nuk do të jem e trishtuar”.
Majida dhe Ne’man janë të shqetësuar për Lanën. Vajzat e tjera kishin një bazë jete më normale. Por Lana ishte vetëm gjashtë vjeçe kur fushata e Izraelit ia ktheu jetën përmbys.
“Ajo po fiton vetëdije në mes të luftës, bombardimeve dhe jetës në tenda”, tha Majida.
Lana mund të jetë kokëfortë dhe me mungesë durimi.
“Ka gjëra që motrat e mia i durojnë dhe unë nuk i duroj”, tha Lana. Ajo nuk mund të duronte parehatinë e jetës në tendë. E shqetësonte përdorimi i tualetit të improvizuar. “Të ulem dhe të lexoj, nuk mund të shoh komoditet”, tha ajo.
Për muaj me radhë, çdo gjë i shtyn ata në pikën e shpërthimit të emocioneve - mërzitja, mungesa e intimitetit, lodhja e përditshme e bartjes së ujit, grumbullimit të druve të zjarrit, kërkimit të ushqimit, pastrimit të tendës. Pas këtyre fshihen mendime më të errëta: ndjenja se ky mund të jetë fati i tyre përgjithmonë, frika se një sulm mund t’i vrasë ata.
Të mbledhura ngushtë në tendë, vajzat nganjëherë grinden mes vete.
“Ne ishim një familje shembull, ishim të kuptueshëm dhe dashamirës”, tha Ne’man. “Nuk e imagjinoja kurrë që do të arrinim deri këtu. Kam frikë se familja do të shpërbëhet nga të gjitha këto shtypje”.
“Në një shkretëtirë”
Lëvizja e fundit i mori të gjitha paratë e pakta që kishin - qindra dollarë për të blerë një tendë të re dhe për të paguar një kamion që të transportonte sendet e tyre.
Kjo gjithashtu i zhveshi ata nga gjithçka që e bënte jetën të përballueshme. Kampi i ri ndodhet në një shtrirje toke të thatë. Nuk ka asnjë treg afër, as shkolla. Ata duhet të ecin 2 kilometra (1.2 milje) për të marrë një lidhje interneti. Ata janë të rrethuar nga të huaj.
“Po jetojmë në një shkretëtirë”, tha Ne’man.
Një mëngjes, vajzat e tyre ecën më shumë se një kilometër për të ndjekur një kamion uji që kalonte. Atij i mbaroi uji para se të mund të mbushnin të gjitha shishet plastike.
Familja kaloi ditën duke pastruar vendin ku do të vendoseshin, duke ndërtuar dy tendat e tyre - një për familjen dhe një për motrën e Ne’manit. Ndërsa punonin, një goditje izraelite u dëgjua në distancë. Ata panë tymin e zi që ngrihej mbi Khan Younis. I lodhur nga fundi i ditës, Ne’man ende duhej të gërmonte dhe të vendoste tualetin.
Zona kishte qenë një zonë ushtarake e mbyllur izraelite deri disa javë më parë, kur Izraeli njoftoi se të shpërngulur mund të lëviznin aty. Një pozicion ushtarak izraelit nuk është shumë larg. Ata mund të shohin tanket që kalojnë herë pas here.
“Nuk është vend i sigurt këtu”, tha Ne’man.
Majida përpiqej të përqendrohej te detajet praktike.
“Nëse një ditë kamionët e ujit fillojnë të vijnë më afër”, tha ajo, “vajzat nuk do të duhet të ecin kaq larg dhe do të ankohen më pak. Pasi të caktojnë një kënd për kuzhinën, ku mund të gatuajnë dhe të lajnë, do të fillojnë të krijojnë një rutinë të përditshme”.
“Gjërat do të bëhen më mirë”, tha ajo pa asnjë shenjë optimizmi në zërin e saj.
Atyre mund t’u duhet të zhvendosen sërish
Katër ditë më vonë, një mesazh zëri nga Ne’man mbërriti në agjencinë e Associated Pressit.
“Po rrimë këtu pa mundur të hamë”, tha ai. Ata s’kishin pothuajse asnjë para për të blerë ushqim. Asnjë ndihmë nuk po arrinte tek ata.
Më keq akoma, një njeri që tha se ishte pronari i tokës kishte ardhur, me disa burra të armatosur, dhe kishte kërkuar që të paguanin qira ose të largoheshin. Ne’man nuk mund ta përballonte qiranë. Ai nuk mund ta përballonte koston e lëvizjes, por mund të mos kishte zgjidhje tjetër.
“Së shpejti do të vdesim nga uria”, tha ai. “Dy vjet, të gjithë energjinë tonë e kemi shpenzuar, fizikisht, mendërisht, financiarisht. Nuk mund të durojmë më shumë se kaq”.