Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

I mbijetuari i kampit të përqendrimit vritet gjatë bombardimit në Kharkiv

I mbijetuari i disa kampeve të përqendrimit, Boris Romantschenko, është vrarë gjatë një bombardimi në Kharkiv të Ukrainës, të premten, ka njoftuar Administrata e qendrës përkujtimore Buchenwald në Gjermani.

Në njoftimin e kësaj qendre thuhet se 96-vjeçari, i cili i mbijetoi disa kampeve të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vdekur gjatë shpërthimit që ka ndodhur në shtëpinë e tij javën që lamë pas, raporton BBC.

Boris Romantschenko, "ka bërë fushatë aktive për kujtimin e krimeve të nazizmit dhe ishte nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar Buchenwald-Dora", thuhet në disa postime të kësaj qendre në Twitter.

“Siç mësuam nga të afërmit, miku ynë Boris Romantschenko, i cili i mbijetoi kampeve të përqendrimit në Buchenwald, në Peenemynde, në Dora dhe në BergenBelsen, është vrarë në një sulm me bombë në shtëpinë e tij në Kharkiv të premten e kaluar . Jemi thellësisht të tronditur”, bëhet e ditur në një nga njoftimet e qendrës.