Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hungaria për anëtarësim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE

Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë zgjerimin për të përfshirë vendet nga Ballkani perëndimor, ka thënë ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

Sipas planit aktual të BE-së, as vendet me përparimin më të madh drejt anëtarësimit nga Ballkani Perëndimor, Serbia dhe Maqedonia, nuk pritet të hyjnë në bllok para vitit 2025, raporton Reuters.

“Duhet të zgjerojmë BE-në sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Szijjarto në organizatën londineze “Chatham House”, duke thënë se nuk duhet që ato vende të presin edhe shtatë vjet për të kaluar këtë proces, transmeton Koha.net.

“Dëshirojmë të shohim BE-në me 28, 29, 30 anëtarë. Ballkani Perëndimor është vend ku tensionet mund të shfaqen”.

Franca dhe Holanda janë duke kundërshtuar planet e BE-së për të lejuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë si pasojë e brengave se vendimi mund të ushqejë edhe më shumë ndjenjën anti-emigrim në bllok, kanë thënë diplomatët e BE-së.