Botë

Humbja e bashkëshortit- Pandemia ia rrënon ëndrrën iranianes

Biznesmenia nga Teherani, Ajat Hoseini, po planifikonte të kishte një bebe gjatë vitit të ardhshëm.

Mirëpo, pandemia e koronavirusit ndryshoi rrjedhën e jetës së saj përgjithmonë.

Më pak se një vit pas martesës, Hosseini humbi bashkëshortin Soheil Gohari. Ai vdiq nga koronavirusi.

Asaj i kujtohet se gjithçka nisi me një të kollitur dhe ethe, por pas 24 orësh u shtrua në spital.

“Kishte shumë temperaturë dhe ethe. Mushkëritë iu dëmtuan. Një javë më vonë, ditë e premte, më tha lamtumirë dhe më la përgjithmonë”, shprehet ajo, raporton KOHA.

Gohari ishte menaxher për klubin futbollistik Estegal në Iran. Ishte 41-vjeçar.

“Donim ta organizonim një ceremoni, por na u pamundësua shkaku i pandemisë. Pastaj vendosëm që ceremoninë ta shtynim dhe ndoshta në të do të merrte pjesë edhe fëmija ynë. Do të ishte krenar nëse do të kishte marrë pjesë në ceremoninë e prindërve”, tha ajo.

Hosseini, 40-vjeçare, është biznesmene e suksesshme në Iran. Ka krijuar një kompani në fushën e menaxhimit të internetit.

Nga shtëpia e tyre në Teheran, thotë se nuk po përshtatet me jetën e re pa bashkëshortin e saj, sidomos gjatë natës kur ndien se po i zihet fryma.

“Isha një grua që pallati i saj i dëshirave u shemb brenda sekondave, ndërkaq mbeta në rrënojat e dëshirave të humbura”, shtoi tutje.

Ajo humbi bashkëshortin në kohën kur Irani është shteti më i goditur nga pandemia në Lindjen e Mesme.

“Ditët e para pas vdekjes janë shumë të vështira dhe nuk e kuptoni se çfarë po ndodh rreth jush. Pastaj pikëlloheni dhe shpesh ndieni se po ju zihet fryma nga këto faza të dhimbjes dhe koha ecën shumë ngadalë”, shtoi ajo.

Teherani pritet që të vendosë masa të ashpra të izolimit, për shkak se shteti është tronditur nga vala e tretë e pandemisë.

Që prej fillimit të pandemisë, në Iran kanë vdekur 43 mijë persona.