Dhjetëra protestues në Kazakistan u rrahën dhe u torturuan nga autoritetet pas trazirave të muajit të kaluar, sipas Human Rights Watch (HRW).
Kjo organizatë joqeveritare tha se forcat kazake të sigurisë kishin arrestuar arbitrarisht protestuesit paqësor dhe u kishin mohuar qasjen tek avokatët.
"Policia nisi keqtrajtimin dhe torturën ndaj disa të burgosurve, duke përfshirë goditjet elektrike dhe rrahjet me shkopinj", tha HRW në një deklaratë, raporton Euronews.
Autoritetet kazake kanë deklaruar se rreth 10,000 njerëz u arrestuan në të gjithë vendin sa i përket protestave të janarit.
Demonstratat fillimisht nisën për një rritje të çmimit të naftës, por më vonë u shndërruan në kaos për shkak të kushteve të jetesës në vendin ish-sovjetik.
Në këto trazira, të paktën 227 persona mbetën të vdekur.
Edhe
Mbi 5 mijë të arrestuar në protestat në Kazakistan
Sipas prokurorëve kazakë, gati 900 nga të arrestuarit përballen me akuza të ndryshme penale, duke përfshirë trazira masive dhe akte terrorizmi. Shumë prej të liruarve kanë deklaruar në rrjetet sociale se janë rrahur dhe torturuar nga autoritetet gjatë ndalimit të tyre.
Gjatë trazirave, Presidenti urdhëroi policinë të "qëllonte për të vrarë" dhe gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga trupat e aleancës të udhëhequra nga Rusia.