Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Historitë e “dhomave të izoluara” në Gazë

Karrigia plastike në vend të shtretërve, në dhoma pa ajër. Pak ose aspak ushqim. Një fëmijë i marrë peng nga Hamasi, që shikonte një video të masakrës së 7 tetorit. Këto janë vetëm disa prej rrëfimeve të pengjeve të liruara nga Hamasi

(BBC) – Historitë që tregojnë pengjet e liruara nga Gaza - kryesisht përmes të afërmve të tyre - paraqesin një pamje të javëve të gjata, të kaluara në mjerim, pasiguri dhe frikë.

Njëra nga pengjet, Ruti Munder, 78 vjeçe, tha se e kuptoi se djali i saj ishte vrarë në Izrael, në kohën sa mbahej peng. Lajmin për vdekjen e djalit të saj e dëgjoi në një radio që përdornin rojat.

Deborah Cohen pretendoi se nipi i saj 12-vjeçar ishte detyruar që të shikonte video të masakrës së Hamasit nëpër Izraelin jugor.

Më shumë se 60 nga rreth 240 personat e kapur peng nga Hamasi tashmë janë liruar sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas.

Pak prej tyre kanë folur drejtpërdrejt për përvojat e tyre, por ata që e kanë bërë - ose vetë ose përmes familjeve të tyre - transmetojnë histori që kanë lënë një mori plagësh emocionale dhe fizike.

Edhe “Nuk mund të qëndroj i heshtur” -  I burgosuri palestinez rrëfen për dhunën seksuale në burgjet izraelite Botë 6 muaj më parë “Nuk mund të qëndroj i heshtur” - I burgosuri palestinez rrëfen për dhunën seksuale në burgjet izraelite

Në një intervistë me kanalin televiziv francez “BFM”, Cohen përshkroi kushtet në të cilat, nipi i saj Eitan Yahalomi, 12 vjeç, u mbajt peng gjatë 52 ditëve.

“Kur ai mbërriti në Gazë, të gjithë banorët, të gjithë, e rrahën. Ai është një fëmijë 12-vjeçar”, tha ajo, duke shtuar se çdo fëmijë që qante ishte “kërcënuar me pushkë”.

Cohen tregoi se Eitani i kishte thënë asaj se “Hamasi e detyroi të shikonte video horror” të sulmeve të 7 tetorit, kur u vranë të paktën 1.200 njerëz.

“Dje, kur Eitani u lirua, ishim shumë të lumtur”, tha Deborah Cohen për “BFMTV”, “por tani që e di këtë shqetësohem. Është e paimagjinueshme. Nuk e di se kush mund ta bëjë një gjë të tillë”.

“Doja të besoja se Eitani do të trajtohej mirë. Me sa duket jo. Ata njerëz janë monstra”, shtoi Cohen.

“Times of Israel” raportoi se babai i Eitanit, Ohadi, u qëllua dhe u plagos në një sulm me armë zjarri dhe mbetet ende peng në Gazë.

Image

Qëndrimi në tunele

Të tjera pengje u kanë thënë të afërmve se mbaheshin në korridore dhe dhoma nëntokësore të mbushura me njerëz dhe kishte pak energji elektrike.

Ata kishin kontrolle të rrepta nga rojet e tyre - stilolapsat ishin të ndaluar në mënyrë që pengjet të mos komunikonin fshehurazi mes vete.

Ruti Munder, 78 vjeçe, u lirua të premten së bashku me vajzën e saj Keren, 54 vjeçe dhe nipin 9-vjeçar Ohad Munder-Zichri.

Ajo tha se militantët e kishin detyruar grupin e saj të flinin në karrige plastike, në një dhomë “të izoluar” me pak ajër të pastër.

Ajo ishte me fat që iu dha një çarçaf - shumë të tjerë, duke përfshirë vajza dhe djem të rinj, nuk kishin.

“Ne mbuloheshim me një çarçaf. Djemtë flinin nën karrige, në tokë, sepse ne i donim ata pranë nesh”, tha ajo për “Channel 13” të Izraelit.

Është e dukshme gjithashtu se Hamasi ndau familjet - me shumë që nuk dinin për atë që kishte ndodhur me të afërmit e tyre më 7 tetor.

Në video pamjet e publikuara nga familja e Munderit, një i afërm dëgjohet të thotë se bashkëshorti i saj Avrahami, gjithashtu 78 vjeç, mbahej ende peng. Keren Munder përgjigjet: “Pra, ai nuk u vra”.

Munder më pas përshkruan se si kishte mësuar nga radioja që mbanin rojat, se djali i saj, Roy, ishte vrarë nga Hamasi në kibucin Nir Oz.

Edhe Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë Botë 8 muaj më parë Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë

Vaktet e ushqimit ndryshuan. 78-vjeçarja tha se fillimisht ushqeheshin me pulë dhe oriz, dhe me çaj dy herë në ditë.

“Ne ishim në rregull”, tha ajo, por shtoi se ajo që u dhanë ndryshoi shpejt kur “gjendja ekonomike nuk ishte e mirë dhe njerëzit ishin të uritur”.

Një tjetër i afërm, Merav Raviv, përshkroi se si Munder dhe vajza e saj kishin humbur secila rreth 7 kilogramë.

Të tjerë kanë folur për një dietë të paekuilibruar që përmbante humus të konservuar, bukë pitta dhe djathë të kripur – në ditët e fundit para lirimit, disa pengje thanë se kishin vetëm dy feta bukë në ditë.

Ata që merren me kujdesin për fëmijët e liruar thonë se shumë prej tyre vuajnë nga efektet e tendosjes psikologjike.

Një banor i kibucit Be’eri tha se dy vajza që ishin liruar po flisnin ende me pëshpëritje, pas disa javësh që u detyruan të mos flisnin nga rrëmbyesit e tyre.

Thomas Hand, babai i 9-vjeçares irlandezo-izraelite Emily Hand, e cila u lirua të dielën, tha se vajza e tij qan derisa të flejë.

“Ajo po ia del ngadalë, pak nga pak”, tha ai për mediat amerikane.

“Pjesa më tronditëse, më shqetësuese e takimit me të ishte se ajo vetëm pëshpëriste, nuk mund ta dëgjoje. Më duhej t’ia afroja veshin”, tha ai.

“Ajo ishte kushtëzuar që të mos bënte zhurmë”, shtoi Hand

Elma Avraham, 84 vjeçe, u lirua të dielën dhe u transferua menjëherë me helikopter në një spital në Beersheba pasi ishte në gjendje “të rëndë dhe kritike për jetën”.

Vajza e saj, Tali Amano, tha se Hamasi e kishte mbajtur nënën e saj, e cila veçse vuante nga disa sëmundje të rënda, në kushte të tmerrshme.

“Medikamentet jetike ditore iu refuzuan për rreth 50 ditë”, tha ajo. “Nëna ime mbërriti të lirohej vetëm disa orë përpara se ta kishim humbur përgjithmonë”.

Hagai Levine, kreu i çështjeve mjekësore nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, tha se Avraham ishte mbajtur “për 52 ditë ... në kushte që asnjë qenie njerëzore nuk duhet mbajtur... pa dinjitet njerëzor”.

Yocheved Lifschitz, një peng 85-vjeçare, e cila u lirua javë më parë, më 23 tetor, tha në atë kohë, se kishte jetuar në ferr. Gjyshja dhe aktivistja e paqes u rrëmbye nga Hamasi me motoçikleta, u rrah dhe u fut në “rrjetën e merimangës”, të tuneleve nën Gazë.

Edhe “U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur” Botë 9 muaj më parë “U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur”

Por ajo gjithashtu i përshkruan pengjet si të “trajtuar mirë”, me pastërti dhe dyshekë në dysheme për të fjetur. “Ata u kujdesën që ne të mos sëmuremi dhe ne na vizitonte një mjek çdo dy ose tri ditë”, tha ajo.

Përktheu: Forca Jashari