Botë

Hija e dyshimit mbi raportin e OBSH-së për origjinën e koronavirusit

Zyrtarët e lartë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, janë shprehur të shqetësuar rreth mënyrës së përpilimit të raportit, përfshirë faktin se Qeveria kineze ka pasur “gisht” në përpilimin e tij. “Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime të thella lidhur me metodologjinë dhe procesin e përpilimit të raportit, përfshirë faktin se Qeveria kineze qartazi ka ndihmuar në shkrimin e tij”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë për CNN-në

Një pjesë e hollësive të raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi origjinën e COVID-19 është zbardhur të hënën nga agjencia “Associated Press”, pak kohë para publikimit zyrtar. Në këtë version, studiuesit kanë listuar katër skenarë rreth mundësisë së shfaqjes së virusit SARS-Cov-2 mes njerëzve. Në krye të kësaj liste është përmendur bartja e patogjenit nga lakuriqët te njerëzit, nëpërmjet një kafshe tjetër. Ndërkaq është specifikuar se opsioni i përhapjes nëpërmjet produkteve të ngrira ushqimore është i mundshëm, por jo i besueshëm.

Forma më e përafërt me virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19 është gjetur te lakuriqët, të cilët dihet se i bartin koronavirusët. Megjithëkëtë, raporti specifikon se “distanca evolucionare midis këtyre viruseve të lakuriqëve dhe SARS-Cov-2 llogaritet të jetë disa dekada, duke e sugjeruar lidhjen e munguar”.

Zyrtarët e lartë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, janë shprehur të shqetësuar rreth mënyrës së përpilimit të raportit, përfshirë faktin se qeveria kineze ka pasur “gisht” në përpilimin e tij.

“Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime të thella lidhur me metodologjinë dhe procesin e përpilimit të raportit, përfshirë faktin se Qeveria kineze qartazi ka ndihmuar në shkrimin e tij”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë për CNN. “Derisa duhet të ketë llogaridhënie për të shkuarën, fokusi duhet të mbetet tek ndërtimi i një sistemi më të fort për të ardhmen”.

Antony Fauci, eksperti kryesor amerikan për sëmundje ngjitëse, ka thënë se nuk është në dijeni nëse raporti mund të jetë një lloj “lustrimi”, pasi u pyet lidhur me këtë nga “CBS News”. Drejtori i Institutit Kombëtar amerikan për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse ka thënë se “ka shumë hamendje lidhur me atë se çfarë ata kanë bërë dhe çfarë u është lejuar të bëjnë e çfarë jo”. Ai me këtë rast ka aluduar në ekipin e shkencëtarëve dhe në autoritetet kineze.

Gjetjet në raport, qasje në të cilin ka siguruar AP-ja, ofrojnë fare pak të dhëna mbi atë se si virusi është shfaqur fillimisht dhe lë shumë çështje pa përgjigje, ndonëse kjo gjë edhe pritej.

Raporti, i cili pritet që të dalë në publik gjatë së martës, është pritur me vëmendje të madhe meqë zbulimi i origjinës së virusit do të mund t’i ndihmonte shkencëtarët në parandalimin e pandemive të ardhshme – por kjo çështje është njëhershëm skajshmërisht e ndjeshme për Kinën që synon ta shmangë çdo mundësi për adresimin e fajit kah ajo.

Matthew Kavanagh nga Universiteti i Georgetownit ka thënë se raporti ka thelluar mënyrën e të kuptuarit të origjinës së virusit, porse nevojiten informata shtese.

“Është evidente se Qeveria kineze nuk i ka ofruar të gjitha të dhënat e nevojshme dhe, përderisa nuk e bëjnë këtë, vështirë se mund të ketë konstatime të prera”, ka thënë ai.

Vitin e shkuar, një hulumtim i AP-së kishte zbuluar se Qeveria kineze i kishte kontrolluar ashpërsisht të gjitha kërkimet rreth origjinës së virusit. Dhe shtyrjet e vazhdueshme në publikimin e raportit kanë ngritur dyshimet nëse pala kineze është përpjekur që t’i shtrembërojë konstatimet. Ndërkaq të hënën, Pekini zyrtar ka mohuar të gjitha dyshimet e ngritura mbi raportin.

“SHBA-ja ka folur zëshëm rreth raportit. Duke e bërë këtë, a nuk po mundohet SHBA-ja që ta ashpërsojë presionin politik mbi anëtarët e grupit të ekspertëve të OBSH-së?”, ka pyetur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.

Megjithëkëtë, dyshimet kundruall Kinës kanë ushqyer teorinë se virusi mund të ketë dalë nga një laborator në Wuhan, qyteti kinez ku virusi është identifikuar prej fillimit. Raporti i punuar nga OBSH-ja dhe Kina i përmend disa arsye për shfaqjen e virusit, por vetëm këtë mundësi jo.

Aty specifikohet se aksidentet e tilla laboratorike janë të rralla dhe se laboratorët në Wuhan, që punojnë me koronavirusë dhe vaksina, janë të menaxhuar mirë.