Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Haxhi Sulejmani: Plaku që kundërshtoi hapur okupimin izraelit

I njohur si haxhi Sulejmani, Hathaleeni ishte organizator i revoltës paqësore kundër rrënimit të shtëpive palestineze nga Qeveria izraelite. Megjithatë, vëlla Ibrahimi e kujton me krenari se si Sulejmani dhe miqtë e tij i “treguan botës në mënyrën më të qartë të mundshme për krimet e Izraelit ndaj popullit palestinez”

Me turbanin që mbulonte flokët e tij të gjatë ngjyrë gri dhe me një bastun prej druri në njërën dorë, Sulejmani shihej shpesh duke bllokuar buldozerët izraelitë që prishnin shtëpitë apo traktorët që shkatërronin tokën palestineze.
Ani pse nuk dinte as të lexonte, të shkruante apo të përdorte internetin, i ndjeri Sulejman ishte mjaft i njohur në mesin e njerëzve, shkruan “Al-Jazeera”.

Më 17 janar, rreth 17.000 palestinezë morën pjesë në funeralin e tij në vendin e tij të lindjes, një fshat në Masafer Yattanin verior, dy javë pasi ai qëllimisht u përplas nga një kamion izraelit.
Vëllai 60-vjeçar i Sulejmanit, Ibrahimi, thotë se asnjëherë nuk kishin parë një funeral të tillë me kaq shumë njerëz.

Image
Varrimi I haxhi Sulejamnit më 18 janar

Ndërkaq, rreth 7.000 shtëpi të palestinezëve, rrezikohen nga shpronësimi dhe nga moslidhja me rrjetin e ujit dhe energjisë elektrike.

Vrasje e qëllimshme

“Po të ishte gjallë, Sulejmani do t'u printe protestave dhe do të shtrihej në tokë për të parandaluar automjetet ushtarake izraelite që synonin t’i shkatërronin shtëpitë e tyre”, tha Ibrahimi, duke e kujtuar të vëllanë si një figurë me ndikim në kauzat kundër Izraelit, shkruan “Al-Jazeera”.

Edhe “S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar” Botë “S’kisha parë njerëz të buzëqeshur derisa mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar”

Sulejmani u plagos për vdekje më 5 janar kur një kamion izraelit e goditi atë në Umm al-Khair gjatë një bastisjeje nga Ushtria izraelite për të sekuestruar automjetet palestineze të paregjistruara.
Kamioni “kaloi mbi të dhe e tërhoqi trupin e tij për disa metra pa u ndalur”, thuhet në një deklaratë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA).

Më pas, forcat izraelite qëlluan në ajër për të shpërndarë turmën që po protestonte kundër bastisjes dhe në atë çast ikën shpejt nga fshati, duke e lënë trupin e gjakosur të plakut në tokë. Për shkak të mungesës së shërbimeve të ambulancës në fshat, ai u dërgua me një makinë private në klinikën më të afërt mjekësore, rreth 15 kilometra larg, njofton “Al-Jazeera”.

Image
Muntsaeri, i biri 34 vjeå i Sulejamnit, e përshkruan babanë si njeriu në ballë “të protestave kundër pushtimit”

Ai vdiq pas qëndrimit dymbëdhjetë ditësh në një spital të Hebronit.

Familja e tij beson se përplasja ishte e qëllimshme, dhe tani janë në proces të ngritjes së një rasti në gjykatat izraelite kundër shoferit të kamionit dhe oficerëve të policisë, të cilët nuk ofruan ndihmë. Janë bërë më shumë se dy javë dhe Policia izraelite nuk e ka marrë në pyetje shoferin izraelit të kamionit. “Ata thonë se janë duke e hetuar incidentin me të dhëna të Prokurorisë së Shtetit”, theksojnë mediat izraelite.

UNOCHA tha se Sulejmani “ishte duke protestuar në mënyrë paqësore në rrugë” dhe “shihej qartazi si nga shoferi i kamionit ashtu edhe nga oficerët izraelitë”, duke shtuar se forcat izraelite nuk i ofruan ndihmë, madje, ata ikën menjëherë pas incidentit”, kujton “Al-Jazeera”.

Dhoma e mbledhjes së informacioneve

Sulejmani la pas tre vëllezër, shtatë djem, tri vajza dhe afro 30 nipër e mbesa. Sa ishte gjallë, formoi një grup në bashkëpunim me ta, të cilin e quajtën “dhoma për mbledhjen e informacioneve”. Ky grup shërbente për të marrë informata në lidhje me protestat e planifikuara.

Djali i tij 34-vjeçar, Muntaser, tha se ai ishte shoqëruesi i babait të tij. "Mua më ngarkonin me mbledhjen e informatave dhe vendeve se ku do të mbaheshin protestat. Zgjohesha herët në mëngjes dhe sillja shumë detaje rreth atyre gjërave", thotë ai për “Al-Jazeeran”.

“Ndonjëherë, ia fshihja datat e protestës për shkak se shqetësohesha për shëndetin e tij, pasi që ishte në moshë të shtyrë, por dikur e mori vesh këtë, u zemërua shumë, dhe më nuk fshihja gjë prej tij”, shton Muntaser.

Umm al-Khair, fshat me rreth 1.000 banorë, u bë shtëpia e re e Sulejmanit pasi ai, prindërit dhe vëllai i tij u zhvendosën me forcë nga milicitë sioniste nga qyteti i Aradit në shkretëtirën Nakab gjatë luftës së vitit 1948 për të krijuar shtetin e Izraelit.

Edhe Funerali gjashtëditor i Ali Khameneit pritet të mbledhë miliona njerëz në Iran Botë Funerali gjashtëditor i Ali Khameneit pritet të mbledhë miliona njerëz në Iran

Në vitet 1980, ushtria izraelite filloi ndërtimin e vendbanimit ilegal pranë vendbanimit Carmel, afër tokave të Umm al-Khairit, duke nisur një tjetër luftë aty.

Ashtu si komunitetet tjera palestineze, Umm al-Khairit i mungojnë nevojat themelore si energjia elektrike, uji, infrastruktura, arsimi dhe objektet shëndetësore, madje banorët nuk lejohen të ndërtojnë shtëpi të përhershme, duke qenë të detyruar të jetojnë në kasolle dhe tenda. Në anën tjetër, vendbanimi i Carmelit i ngjan një oaze të gjelbër, mbushur me kënde lojërash dhe parqe, dhe një fermë pulash që funksionon me energji elektrike.

Shtëpia e Sulejmanit është vetëm tri metra larg këtij vendbanimi. Ai ka qenë viktimë e dhjetëra sulmeve të kolonëve.

Nëse ne nuk rezistojmë, atëherë kush do ta bëjë këtë?

Fouad al-Amour, 38-vjeç, për herë të parë, u takua me Sulejmanin në vitin 2018 dhe e shoqëroi atë për pesë vite në rrugëtimin e tij të rezistencës ndaj okupimit izraelit. Së bashku me disa banorë të fshatit, ata krijuan “Komitetin e Mbrojtjes dhe Rezistencës në Masafer Yatta”, për të lufturar politikat izraelite të zhvendosjes sistematike të banorëve palestinezë.
Al-Amour tha se, përmes kamerave të komitetit, ata panë shkatërrimet e shtëpive palestineze dhe praktikat e krimet e forcave pushtuese kundër banorëve palestinezë.

“Sulejmani ishte mbështetësi kryesor në çdo hap që bënim”, thotë Al-Amour për “Al-Jazeeran”, duke shtuar se ai e thirri atë në një ditë para se të goditej nga kamioni për të organizuar një ngjarje në fshatin Umm Zaytouna ku forcat izraelite kishin rrënuar shtëpitë. Dhe në këto raste thënia e zakonshme e Sulejmanit ishte: “Nëse ne nuk rezistojmë, kush do të rezistojë”? - rikujtoi Al-Amouri.

"Përveç në Masafer Yatta, Sulejmani ishte i pranishëm në të gjitha protestat brenda dhe jashtë Hebronit, nga jugu deri në veriun e largët. Ai zgjohej herët në ditët e protestave dhe ishte i pari që arrinte. Ai do të duronte urinë dhe etjen derisa të përfundonte e gjithë ngjarja, duke thënë: ‘Sot, ia dhashë ditën time Zotit dhe vendit tim’”, shpjegon Al-Amouri.

“Vetëm në vitin 2021, Sulejmani u arrestua më shumë se 60 herë dhe iu shqiptuan dhjetëra gjoba”, thekson Al-Amouri.

“Ushtria izraelite shënjestroi Sulejmanin në fillim të protestave dhe në kohën kur ata filluan t'i rrënonin shtëpitë. Në këto raste, ata e merrnin, e rrihnin dhe e çonin në një vend të panjohur derisa ngjarjet ose rrënimet e shtëpive të përfundonin, sepse e dinin se ai ishte shtytësi kryesor pas protestave”, vazhdoi ai.

Edhe “Asgjë s’e kthen djalin tim” – Shkatërrimi i jetëve në Liban nga 10 minuta bombardime nga Izraeli Botë “Asgjë s’e kthen djalin tim” – Shkatërrimi i jetëve në Liban nga 10 minuta bombardime nga Izraeli

Ibrahimi e cilësoi vëllanë e tij të ndjerë Sulejmanin si “pengesë që vështirësonte politikat e Izraelit për zhvendosjen e palestinezëve”. Megjithatë, ai kujton me krenari se si Sulejmani dhe miqtë e tij i treguan botës në mënyrën më të qartë të mundshme për krimet e Izraelit ndaj popullit palestinez”.

Përktheu: Leutrime Rekaliu