Rreth 1.8 milionë myslimanë nga e tërë bota u ngjitën në malin Arafat në Arabinë Saudite të martën, për të shënuar ditën më të rëndësishme të Haxhiut.
Por, për shkak të rritjes së çmimeve në aspekt globale, pelegrinazhi po bëhet gjithnjë e më i papërballueshëm.
“Numri i prenotimeve ka rënë ndjeshëm sivjet. Është shumë i shtrenjtë për shumë njerëz”, deklaroi një punonjës në një operator turistik privat egjiptian, i ngarkuar me punën e organizimit të udhëtimeve drejt Haxhit, që deshi të mbetej anonim nga frika e një reagimi të ashpër në vendin e tij. Siç raportoi BBC-ja, në Egjipt, që njihet si vendi më i populluar arab, pelegrinazhi më i lirë i sponsorizuar nga qeveria vendase aktualisht kushton rreth 6.000 dollarë – dyfishi i asaj që ishte vitin e kaluar.
Rritja e çmimeve është nxitur nga zhvlerësimi i paundit egjiptian, që ka humbur më shumë se 50 për qind të vlerës së tij, kundrejt dollarit amerikan, që nga marsi i 2022-s. Si rezultat i kësaj, kostoja e jetesës është rritur gjithashtu, me inflacionin bazë vjetor, që shënoi 40 për qind në majin e sivjetmë.
Rreth 30 për qind e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë së qeverisë para pandemisë COVID-19, e Banka Botërore thotë se shifrat ka gjasa të jenë rritur që atëherë.
“Ëndrra ime”.
Farida, një nëpunëse civile egjiptiane në pension, ka kursyer nga pasuria e saj për pesë vjet për të shkuar në haxh.
“Të gjitha kursimet e mia nuk mjaftojnë për të paguar udhëtimin. Kur e pashë listën e çmimeve, u trondita”, deklaroi ajo, Farida, që nuk është emri i vërtetë i saj, (por që mediumi ia ka vendosur, pasi s’ka dashur të identifikohet).
Ajo shtoi se haxhi ka qenë ëndrra e saj pasi “e pastron shpirtin”, derisa shtoi se fëmijët tashmë i ka të martuar e më s’ka përgjegjësi sociale e financiare.
“Është koha për të shkuar në haxh”.
Katër vjet më parë, Farida ka qenë në Mekë për të kryer një lloj riti më të vogël, riti i Umrës, që përfshin disa nga ritualet e haxhit dhe mund të kryhet në çdo periudhë të vitit.
Këtë herë, ajo e përdori një mënyrë alternative për të kryer haxhin.
“Në vend të vizës së haxhit, mora një vizitë turistike tremujore dhe mbërrita në Mekë, një muaj para se të niste sezoni...Ky është opsioni i vetëm që kam”, ka deklaruar ajo.
I gjithë udhëtimi i Faridës në Mekë është 80 për qind më i lirë se pakoja që përfshin haxhi, i sponsorizuar nga qeveria egjiptiane.
Uljet e subvencioneve
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Myslimanëve u kërkohet të bëjnë udhëtimin në Mekë të paktën një herë në jetën e tyre, nëse janë të aftë fizikisht dhe financiarisht.
Ai nis në ditën e tretë të muajit hënor islam të ‘Dhul Hixhes’, i cili këtë vit korrespondonte më 26 qershor, sipas kalendarit gregorian. Ky rit fetar islam i tërheq nga 1.5 milionë deri në 2 milionë haxhilerë, por kjo është hera e parë që nga pandemia që autoritetet saudite e kanë lejuar atë të kthehet në kapacitete të plota.
Arabia Saudite i cakton çdo vendi një kuotë vjetore, bazuar në numrin e myslimanëve që jetojnë atje. Hapësira më e madhe e pjesëmarrjes i cakton Indonezisë, si kombi më i madh në botë me shumicë myslimane, me një popullsi prej 270 milionë banorësh. Sivjet iu dhanë 221.000 vende.
Autoritetet indoneziane vendosën këtë vit të ulin subvencionin për pelegrinazhin në 50 për qind, nga 60, që nënkupton se çdo pelegrin indonezian duhej të paguante 3.320 dollarë. Në vitin paraprak, pakoja kushtonte 2.660 dollarë.
Përktheu: Ermir Bujupaj