Botë

Harris, zë i së drejtës për abort në SHBA

Kamala Harris

Shndërrimi në zë kryesor për qasjen në abort nuk mund të ishte më mirë për Harrisin pasi presidenti Joe Biden e kishte ngarkuar me mbikëqyrjen e çështjeve tjera të mëdha, të cilat nuk u kanë shkuar për dore: imigracioni dhe zgjerimi i së drejtës së votës.

Gjatë seancës dëgjimore të Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme, atëherë senatore e Kalifornisë, Kamala Harris e pyeti gjykatësin nëse mendonte se të drejtat e privatësisë së grave duhej zgjeruar duke vendosur për abort. Kavanaugh refuzoi të përgjigjej.

Me gjyqtarin Kavanaugh tani si pjesë e shumicës gjyqësore që votuan për të rrëzuar ligjin Roe v. Wade dhe senatoren tani zëvendëspresidente Harris ka tërhequr vërejtjen se vendimi i gjykatës mund të nxisë kufizimet ekstreme të cilat i kishte paralajmëruar gjatë atyre dëshmive.

Duke e marrë çështjen në dorë me pasion si me të kaluarën personale dhe profesionale, Harris në javët e fundit ka qenë sinjal alarmi se rrëzimi i ligjit Roe mund të krijojë precedent për ndalesat e reja për gjithçka, prej kontraceptivëve, fertilizimi in-vitro, martesat gay e deri tek e drejta për të votuar.

Gjykatësi Clarence Thomas dukej se vërtetonte shqetësimet e tilla, kur shkoi në opinion të përbashkët për vendimin e madh ndaj ligjit Roe se Gjykata e Lartë “duhej të rishqyrtonte” vendimet e mëparshme për qasjen në kontraceptivë dhe martesat e së njëjtës gjini.

Harrisi ka qenë zëri kryesor i administratës së Bidenit për të drejtat e abortit që prej muajit maj kur doli në dritë draft-opinioni i gjykatës për shfuqizimin e ligjit Roe v. Wade. Ishte nisur drejt Illinois për shkak të shëndetit të nënës kur vendimi përfundimtar u shpall gjatë javës së kaluar. E lexoi atë sa ishte në aeroplan dhe ktheu vëmendjen te vërejtjet e planifikuara ndaj vendimit.

Vendimi “vë në dyshim të drejtat e tjera që ne menduam se ishin zgjidhur, të tilla si të drejtat për të përdorur kontrollin e lindjes, të drejtën për martesën e së njëjtës gjini, të drejtën për mesazhet ndërracore”, ka thënë Harris të premten, duke shtuar se vendimi do të nxiste krizën e kujdesit shëndetësor.

Insistimi i Harrisit

Gjatë në interviste me CNN-in të hënën, Harris ka thënë se beteja nuk ka përfunduar. Ndërkaq ka shtuar se ajo që shkroi gjyqtari Thomas “mendoj se e tha pjesën e qetë me zë shumë të lartë”.

Shndërrimi në zë kryesor për qasjen në abort nuk mund të ishte më mirë për Harrisin pasi presidenti Joe Biden e kishte ngarkuar me mbikëqyrjen e çështjeve tjera të mëdha, të cilat nuk u kanë shkuar për dore: imigracioni dhe zgjerimi i së drejtës së votës. Legjislacioni gjithëpërfshirës për të dyja çështjet ka ngecur në Kongress, duke nxitur disa përfaqësues që të thonë se zëvendëspresidentja dhe Shtëpia e Bardhë kanë mundur të bënin më shumë.

Harrisi që kryesonte Senatin nuk i ndaloi republikanët që të bllokonin përpjekjet për të kodifikuar Roe . Wade në ligj federal para se gjykata ta rrëzonte atë. Mirëpo, demokratët janë duke shpresuar se pakënaqësia rreth ligjit të abortit mund të aktivizojë bazën demokrate për zgjedhjet e mesme të muajit nëntor, kur partia do të përballet me erëra të forta.

Duke iu drejtuar direkt politikës për këtë çështje pasi u dha vendimi i gjykatës, Harrisi ka thënë: “Ju keni fuqinë për të zgjedhur liderët që do të mbrojnë dhe ruajnë të drejtat tuaja. Me votën tuaj ju mund të veproni. Ju e keni fjalën e fundit”.

Pasi ligji i Teksasit ndaloi abortin brenda shtetit në vjeshtë, Harrisi u takua me ofruesit e aborteve dhe pacientet, që sipas zyrës së saj ishte hera e parë që ofruesit e aborteve vizituan Shtëpinë e Bardhë. Ajo ka thënë se diskriminimi gjinor është duke vazhduar. Është shprehur se “pjesëmarrja e plotë e grave në shtetin tonë” ishte vetëm qëllim, jo realitet”.

Pasi rrodhi në publik opinioni i Gjykatës Supreme, zëvendëspresidentja organizoi një takim virtual me doktorët dhe infermierët që ofroni kujdesin për abort në shtetet me kufizime të rrepta. Ajo u takua edhe me kryeprokurorët demokratë nga shtetet përkrahëse të të drejtave për riprodhim.

Bideni gjithashtu ka mbrojtur me forcë të drejtat e abortit dhe ka tërhequr vërejtjen se të drejtat e tjera tani janë në rrezik. Mirëpo si një katolik, ai jo gjithmonë ka pasur histori të fortë për këtë çështje.

Harris, zëvendëspresidentja e parë dhe ish-prokurore e Kalifornisë, sjell perspektivën e saj të veçantë personale dhe ekspertizën ligjore për çështjen e abortit.

“Të shohësh gratë duke luftuar në emër të grave tjera është vërtet thelbi i asaj që është ajo”, ka thënë Jacqueline Ayers, zëvendëspresidente për ligje, organizim dhe fushata në Planned Parenthood Federation of America.

Ajo ka shtuar se Harris e ka përshtatur çështjen për të përmendur “pabarazitë që krijohen në komunitetet e racës së zezë dhe për njerëzit që jetojnë me të ardhura të ulëta”.

Ayers ka shtuar se veprimi i Gjykatës Supreme ia ka mundësuar zëvendëspresidentes që të tregojë se e ka shfrytëzuar zyrën e saj për të dëgjuar gratë dhe që të jetë zë i përmirësimit të kujdesit të tyre shëndetësore- ndoshta në mënyra që Bideni nuk mundet t’i bëjë.

“Nuk është domosdo një pykë, është vazhdimësi e dikujt që njëmend ka vendosur karrierën rreth çështjeve që janë kyç dhe shtytëse për ata”, ka thënë Ayers për dallimet mes Harrisit dhe Bidenit.

John Dorhauer, prijës i Kishës së Bashkuar të Krishtit, ka marrë pjesë në takimin e fundit virtual mbi të drejtat e abortit, të cilin e organizoi Harrisi. Ai ka thënë se ajo kishte më pak frikë se disa demokratë të njohur që me forcë të mbronin këtë çështje.

“Të dëgjosh këtë nga një prej zyrave më të larta të këtij vendi është vërtet inkurajuese”, ka thënë Dorhauer.

Image

Qëndrimet e kundërshtuesve

Mirëpo disa kundërshtarë të abortit janë të mendimit se Harrisi ka dëmtuar veten kur ka barazuar qasjen në abort me kujdesin më rutinor mjekësor.

“Në anën tjetër, ajo është bërë emblemë e absolutizmit të abortit”, ka thënë Marjorie Dannefelser, presidente e Susan B. Anthony List, që mbron gratë që kundërshtojnë abortin në politikë.

Si senatore, Harrisi prezantoi legjislacionin për të përmirësuar shëndetin amësor. Gjatë një debati presidencial në vitin 2019, atëherë kandidatja Harris kishte thënë se ishte “e paparë” se si aborti ishte lënë në hije nga çështjet e tjera, pavarësisht se e drejta e gruas për abortin “ishte nën sulm të plotë” edhe atëherë.

Pasojat e së ardhmes

Zëvendëspresidentja sinjalizoi edhe më me forcë për rolin e saj të hapur kur deklaroi një ditë pas publikimit të draft-opinionit në muajin maj: “Ata liderë republikanë që po përpiqen të armatosin përdorimin e ligjit kundër grave, ne themi, si guxojnë?”.

Ajo më pas përdori javët pasuese për të argumentuar se shfuqizimi i Roe v Wade shumë shpejt mund të zhdukte të drejtat kyç të privatësisë – tema e njëjtë që kishte ngritur në seancën gjyqësore të Kavanaugh.

Harris ka thënë se shumë shtete që po mendojnë të ndalojnë plotësisht abortin mund të ndalojnë edhe fertilizimin in vitro nëse ligjvënësit argumentojnë se jeta njerëzore nis me fertilizim. Ata mund të ndalojnë metodat e kontracepsionit, duke përfshirë pajisjet intrauterine dhe pilulën “në mëngjesin pas”.

Zbatimi i ligjit mund të fshijë të dhënat e mbledhura nga miliona gra që kanë përdorur aplikacionet për gjurmimin e ciklit metrual, ose ato që bëjnë kërkime në internet për të kryer aborte nëpër shtetet tjera, ka thënë zëvendëspresidentja.

Dhe në rrezik, sipas Harrisit, është legalizimi i martesave gay, duke vënë në dukje se në shtetet me ligje të ashpra të abortit shpesh ka ndalim të LGBTQ, të cilin Gjykata Supreme mund ta ringjallë. Pasi këto të drejta të bien, argumenti i saj vazhdon, e drejta e votës mund të jetë cak i radhës. Gjatë javës së fundit ajo ka ftuar në takim ekspertët e privatësisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

“Ai shpat i rrëshqitshëm njëmend është i rrëshqitshëm”, ka thënë pjesëmarrësja e takimit, Jennifer Weiss-Wolf, anëtare e organizatës për të drejtat e grave dhe demokracisë në New York. “Jemi duke i tkurrur të gjitha tani për tani”.

Michele Goodwin, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë, u ka thënë pjesëmarrësve që të bëhen gati për “ardhjen e një Jane Crow të re” kur përpjekjet për të kufizuar abortin do të fillojnë të imitojnë ligjet e moçme që dikur sanksiononin diskriminimin e hapur kundër njerëzve të racës së zezë.

Dannenfelser është kundërpërgjigjur se Harrisi dhe të tjerët janë duke e bërë të madhe këtë punë, duke thënë se Gjykata aktuale Supreme ka pak gjasa të bëjë atë që thotë ajo. “Ata besojnë në sundimin e ligjit”.

“Synon të trembë njerëzit dhe të krijojë koalicion me anën tjetër që është jashtë çështjes së abortit”, ka thënë Dannenfelser.

Zyra e Harrisit ka thënë se ajo në fakt është duke krijuar koalicion, por që do të jetë me njerëz që besojnë se efektet e ligjit Roe v Wade kalojnë abortin dhe jo vetëm për gratë. Për të ndihmuar në kthimin e kësaj pike, Harrisi është takuar me liderët fetar në Los Angeles, duke thënë se “të mbështetësh Roe v Wade dhe gjithçka që përfaqëson, nuk do të thotë të heqësh dorë nga besimet”.

Përktheu: Gent Mehmeti