Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hamasi me propozim të ri për armëpushim, reagon Izraeli

Hamasi ka prezantuar një propozim të ri për armëpushim në Gazë para ndërmjetësuesve dhe SHBA-së, që përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, 100 prej të cilëve janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Në propozimin të cilin e ka siguruar Reuters thuhet se Hamasi kërkon që lirimi fillestar i izraelëve të përfshijë gra, fëmijë, të moshuar dhe pengje të sëmura, në këmbim të lirimit të 700-1000 palestinezëve që janë të burgosur. Në propozim është përfshirë edhe lirimi i “rekruteve gra”.

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se propozimi i ri për armëpushim i prezantuar nga Hamasi te ndërmjetësit, është i bazuar në “kërkesa joreale”.

Sipas zyrës, një përditësim i çështjes do t’i prezantohet kabinetit të luftës dhe kabinetit të sigurisë të premten

Egjipti dhe Katari janë munduar të zvogëlojnë ndryshimet ndërmjet pikëpamjeve të Izraelit dhe Hamasit se di duhet të duket një armëpushim, derisa një e katërta e popullatës në Rripin e Gazës po përballen me uri.

Hamasi ka thënë se negociatat për armëpushim kanë çaluar javëve të fundit për shkak të refuzimit të Netanyahut që t’i pranojë kërkesat e tyre, që përfshijnë një armëpushim të përhershëm, largimin e Izraelit nga Rripi, rikthimi i të zhvendosurve nga jugu në enklavat në qendër dhe në veri.