Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hakerët sulmojnë lajmet qendrore të televizionit shtetëror iranian

Katër javë pas protestave të vazhdueshme në Iran, hakerët sulmuan lajmet e mbrëmjes në televizionin shtetëror të Iranit për 15 sekonda, pikërisht në kohën kur po transmetoheshin pamjet e liderit suprem të vendit, ajetollahut Ali Khamenei, raporton BBC.

Hakerët transmetuan një imazh të Khameneit të rrethuar nga flakët. Mbishkrimi shkruante "Bashkohuni me ne dhe ngrihuni!" dhe "Gjaku i rinisë sonë po pikon nga kthetrat tuaja", referencë për Khamenein. Një këngë me tekstin "Gruaja. Jeta. Liria" - një këngë e zakonshme e protestuesve – shkonte në sfond. Protestat e vazhdueshme që nga 17 shtatori kanë shpërthyer në të gjithë Iranin pas varrosjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, grua kurdë, e cila kishte vdekur në paraburgimin e policisë morale. Amini ishte arrestuar për një shkelje të dyshuar të kodeve të rrepta islame të veshjes për gratë. Që atëherë, protestat u përhapën në të gjithë vendin dhe u pritën nga një goditje e ashpër, në të cilën vlerësohet se dhjetëra janë vrarë dhe qindra të arrestuar.