Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hakerët e mbështetur nga një qeveri e huaj vjedhin informata nga Thesari i SHBA-së

hakeret, sulm kibernetik, hakim, 14 prill

Foto: Ilustrim

Një grup i sofistikuar i hakerëve, i mbështetur nga një qeveri e huaj, ka vjedhur informacione nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së dhe nga një agjenci e SHBA-së përgjegjëse për vendosje të politikave rreth internetit dhe telekomunikacionit, kanë njoftuar burime të afërta me ngjarjen, raporton agjencia Reuters.

“Qeveria e SHBA-së është e vetëdijshme për këto raportime dhe po marrim gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe të rregulluar çdo çështje të lidhur me këtë situatë”, ka thënë John Ullyot, zëdhënës i Këshillit Nacional të Sigurisë.

Ka shqetësime brenda komunitetit të inteligjencës së SHBA-së se hakerët që kanë shënjestruar Departamentin e Thesarit dhe atë të Telekomunikacionit e Administrimit të Informacionit, kanë përdorur metoda të ngjashme për të siguruar çasje në të dhënat edhe të agjencive tjera qeveritare, kanë thënë tre persona të informuar me këtë çështje.

Kjo çështje është aq serioze sa ka shtyrë Këshillin Nacional të Sigurisë të takohet të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë një burim për Reutersin.