Kreu i Bankës Qendrore të Sllovakisë, Peter Kazimir, po përballet për herë të dytë me akuza për ryshfet.
Prokurorët kishin hequr dorë më herët nga akuzat për ryshfet, që daton në kohën kur ai ishte ministër i Financave, raportoi BBC-ja të enjten.
Ai e ka dënuar akuzën dhe mohon çdo keqbërje.
Kazimir ka pozitë në këshillin drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, dhe ishte ministër sllovak i Financave nga viti 2012 deri në 2019 nën Qeverinë e qendrës së majtë të partisë Smer.
"Akuza se i kam dhënë ryshfet një zyrtari të lartë tatimor është një gënjeshtër absolute," tha ai në një deklaratë nga Banka Kombëtare e Sllovakisë.
“Nuk kam kryer asnjë krim”, ka shtuar ai.
Në qershor, zyra e Prokurorit Special e hoqi akuzën dhe u kërkoi prokurorëve të shqyrtonin rastin.
Korrupsioni e ka pushtuar Sllovakinë prej vitesh. Kur qendra e majtë erdhi në pushtet në vitin 2012, ata zëvendësuan një parti të rrënuar nga skandali financiar dhe më pas edhe ata u përjashtuan nga votuesit që mbështetën një qeveri të re që e bëri trajtimin e korrupsionit një çështje kryesore.
Që atëherë, dhjetëra zyrtarë publikë janë akuzuar për korrupsion.
Mes tyre është edhe Frantisek Imrecze, një ish-kryetar i Administratës Tatimore, i cili po ndiqet penalisht në disa raste dhe po bashkëpunon me policinë.
Kazimir fillimisht u akuzua vitin e kaluar për korrupsion. Sipas mediave sllovake, ai dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës për t'i dhënë Imrecze një ryshfet prej afro 50,000 euro. Imrecze tani ka kërkuar mbrojtje nga policia pasi një pajisje gjurmuese u gjet nën veturën e tij.