Botë

Grupi izraelit i kërkim-shpëtimit largohet nga Turqia për shkaqe sigurie

Grupi izraelit i kërkim-shpëtimit “United Hatzalah” po largohet nga Turqia pas gjashtë ditëve në terren, për shkak të një “rreziku të sigurisë”. Grupi ka thënë se janë marrë informata për një kërcënim sigurie ndaj tij, raporton CNN.

Shefi ekzekutiv i United Hatzalah, Eli Pollack dhe zëvendëspresidenti Dov Maisel, në një deklaratë kanë thënë se “inteligjenca ka marrë informata konkrete për një rrezik të menjëhershëm ndaj delegacionit izraelit dhe e kemi vënë sigurinë e personelit si prioritet”.

“Ne e kemi ditur se ka një rrezik në dërgimin e ekipit tonë në këto zona të Turqisë, që janë në afërsi të kufirit me Sirinë. Por, kemi marrë hapat për të zbutur rrezikun për hirë të misionit tonë jetëshpëtues”, ka thënë Maisel.

Është thënë se vendimi është marrë pas një vlerësimi të situatës me Forcat e Mbrojtjes së Israelit.

Një grup i dytë izraelit, IsraAid, vazhdon të operojë në Turqi.