Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gruevski kërkon nga Budapesti heqjen e masës së burgimit, gjykata në Shkup refuzon

Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, i cili ka siguruar azilin politik në Hungari, ka kërkuar të hënën nga Budapesti që gjykata e Apelit në Shkup t’ia heqë masën e burgimit, të cilën gjë kjo gjykatë e ka hedhur poshtë menjëherë.

Pasi iku në Budapest për t’iu shmangur drejtësisë në vendin e tij, gjykata maqedonase ia caktoi Gruevskit masën e burgimit për akuzat korruptive, me të cilat ngarkohet në kuadër të disa rasteve të ndara, ndërkaq ai ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup, duke insistuar që masa t’i hiqet menjëherë, transmeton “Koha Ditore”.

Krejt kjo është bërë e ditur në raportin e shtatë të Prokurorisë Speciale të Maqedonisë Veriore, që publikohet çdo gjashtë muaj.

Ankesën, të cilën ish-kryeministri maqedonas e paraqiti nëpërmjet avokatit, Gjykata e ka refuzuar, duke e cilësuar si të pabazë. Gruevskit i është paracaktuar masa e burgimit për akuzat ndërlidhur me rastet “TNT”, “Traektorja” dhe “Dhuna në Qendrën komunale”. Ndërkohë, ai po gjykohet në mungesë nga drejtësia maqedonase.