Botë

Gruaja me origjinë nga Bosnja që jeton në Australi akuzohet për vrasjen e dy vajzave të saja

Foto: ABC News / ilustrim

Një nënë nga qyteti Perth në Australi është akuzuar për vrasjen e dy vajzave të saja të reja të cilat u gjetën të vdekura në shtëpinë e tyre në periferi.

Trupat e gjashtë vjeçares Tiana Gjurashoviq dhe motrës së saj 10 vjeçare Mia u gjetën të premten rreth orës 18 në shtëpinë e tyre në Madeley, raporton “The Guardian”.

Nëna e vajzave, Milka Gjurashoviq, u gjet rreth 2 orë më vonë në një parking veturash në plazhin e Whitfords me lëndime të vetëshkaktuara, transmeton Koha.net.

Ajo u arrestua dhe u dërgua në spital, dhe të dielën u akuzua për dy vrasjet.

Nëna pritet të dalë para gjykatës të hënën.

Fqinja Gordana Sousak tha të ketë dëgjuar britma rreth orës 18 të premten, kur babai i fëmijëve të saj kishte ardhur në shtëpi nga puna, ka raportuar “WA Today”.

“Kur thirri policinë, ata i thanë të mos e prekte atë, por deri atëherë, ai e kishte gjetur vajzën e vogël në lavanderi”, ka thënë ajo.

Milka Gjurashoviq po punonte si infermiere dhe familja e saj ishte pjesë e komunitetit boshnjak në Perth, ka thënë Sousak për “WA Today”.

Policia ka thënë se forenzika do të punojë në vendin e krimit në javët në vijim për të hetuar rrethanat që çuan në vdekjen e dy vajzave.