Botë

Gruaja e Zelenskyt: Kam nevojë për bashkëshortin tim, jo figurën historike

Zonja e parë ukrainase: E gjithë bota po e sheh Zelenskyn përmes syve të mi

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, është rrëfyer për ndikimin emocional që ka pasur lufta në familjen e saj.

Në një intervistë dhënë BBC-së, ajo ka thënë se ka nevojë për burrin e saj, jo për figurë historike.

“Kjo mund të jetë pak egoiste, por kam nevojë për bashkëshortin tim, jo një figurë historike, pranë meje”, ka thënë ajo.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.

Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si ndjenjë konstante adrenaline. Me kalimin e kohës, ajo ka thënë se e ka kuptuar që është e nevojshme të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në kushtet ekzistuese.

Zelenska ka shtuar se pasiguria e të jetuarit në luftë ka ardhur me kosto emocionale për fëmijët e saj.

“Me burrin nuk jetojmë bashkë, familja është e ndarë. Ne kemi mundësinë të shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai. Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Në një moshë të tillë, të rinj. Vajza ime është 19 vjeç. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë”, është shprehur ajo.

Zonja e parë e Ukrainës më tej ka shprehur besimin e saj që bashkëshorti do t’ia dalë ta kalojë edhe këtë luftë.

"Unë besoj në të dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është person shumë i fortë”, ka theksuar ajo.