Botë

Grevat paralizojnë Greqinë, rritet pakënaqësia ndaj qeverisë

Greva e përgjithshme ka paralizuar gjithë sistemin e Greqisë. Të enjten janë anuluar pothuajse të gjitha fluturimet në shenjë pakënaqësie për keqmenaxhmin e hekurudhave, tri javë pas aksidentit hekurudhor në të cilin mbetën të vdekur 57 persona.

Greqia është përballur me greva të përgjithshme që kanë detyruar ndaljen e të gjitha fluturimeve dhe vonesat e shumta në shërbimet e tjera.

Përveç grevave, nëpër qytetet greke janë organizuar edhe protesta në pikun e pakënaqësisë ndaj shtetit në lidhje me aksidentin hekurudhor në të cilin mbetën të vdekur 57 persona.

Protesta më e madhe është mbajtur në Selanik, qytetin e dytë më të madh të Greqisë. Mijëra njerëz kanë thënë se aksidenti hekurudhor nuk do të harrohet. Përplasjen e dy trenave ata e kanë cilësuar si krim.

Shkaku i grevës nuk kanë punuar as tragetet, ndërsa spitalet kanë funksionuar vetëm me stafin emergjent. Mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat shtetërore.

Sindikatat e punëtorëve kanë mbështetur punëtorët e hekurudhave që në tri javët e fundit kanë organizuar greva prejse ka ndodhur aksidenti hekurudhor afër Selanikut, më 28 shkurt.

Qeveria, e cila përballet me zgjedhjet parlamentare para verës, ka njoftuar se shërbimi i hekurudhave do të fillojë punën më 22 mars, ndërkaq gradualisht do të kthehet krejtësisht funksioni deri më 11 prill.

Qeveria ka angazhuar staf shtesë për të mbikëqyrur sigurinë dhe ka reduktuar shpejtësinë maksimale në hekurudhat e caktuara.

“Njerëzit janë shumë të pakënaqur, por nuk e dinë se çfarë të bëjnë. Nuk mund t’i ndërrojmë politikanët përnjëherë. Çfarë të bëjmë? Njerëzit nuk e dinë. Ata janë të pikëlluar, por nuk e dinë se çfarë të bëjnë edhe në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë taksisti Giorgos.

Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka prirë në sondazhe në javët e fundit teksa partia Syriza e krahut të majtë është përfshirë në debat se si të reformojë rrjetin e vjetruar të hekurudhave në Greqi.

Mitsotakis ka premtuar kufij më të qartë midis shërbimeve të privatizuara dhe autoriteteve që i mbikëqyrin ato, duke kërkuar ndihmë nga ekspertët e Bashkimit Evropian në hartimin e ndryshimeve.

Kundërshtarët e tij politikë kanë argumentuar se keqmenaxhimi i agjencive që janë nën kontrollin e shtetit ka komprometuar sigurinë e hekurudhave.

“Tragjedi e papërshkrueshme” është cilësuar përplasja ballore e trenit të udhëtarëve dhe atij të mallrave në Greqi. Disa automjete kanë marrë flakë pasi hekurudha kalonte afër një autostrade që lidh Athinën me Selanikun.

Afro 350 udhëtarë ishin studentë që po ktheheshin në Selanik pas karnavalit në Athinë.

Shefi i hekurudhave në qytetin Larisa është arrestuar dhe është akuzuar për neglizhencë. Ai ishte përgjegjës për sinjalizim, mirëpo ka fajësuar dështimin teknik për përplasjen e trenave të shpejtë. Hetuesit grekë kanë vazhduar të punojnë për të mësuar se përse dy trenat ndodheshin në shinat e njëjtë në momentin e përplasjes.