Botë

Goditet “grupi i bankomatëve” në Holandë, vodhën mbi 1 milion euro

Disa prej parave të sekuestruara

Disa prej parave të sekuestruara

Europoli, në bashkëpunim me autoritetet holandeze dhe gjermane, ka ndërmarrë veprime kundër një grupi kriminal me bazë në Holandë, i cili dyshohet se është i specializuar në grabitjet e bankomatëve duke përdorur eksplozivë. Gjatë një serie operacionesh për ta goditur këtë grup, janë arrestuar 18 anëtarë, thuhet në njoftimin e Europolit.

Grabitësit kanë shkaktuar dëme prej të paktën 1.5 milionë eurosh dhe kanë grabitur së paku 1.2 milionë euro. Gjatë operacionit policor, në total janë sekuestruar 360 mijë euro para të gatshme dhe mbi 600 mijë euro kriptovaluta, së bashku me pajisje dhe automjete të përdorura në grabitje.

Hetuesit kanë mundur të lidhin sulme ndaj bankomatëve ose aktivitete të ngjashme në Gjermani, Zvicër dhe Francë me këtë grup.

Grupi, i përbërë nga deri në 20 shtetas holandezë, kishte “bazën” kryesisht në zonën më të gjerë të Utrechtit, me disa individë të vendosur në Amsterdam.

Këto sulme janë kryer shpesh në zona të banuara, dhe kanë shkaktuar dëme serioze në ndërtesa dhe kanë rrezikuar jetën e banorëve.