Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjykata britanike miraton urdhër arrestin e themeluesit të WikiLeaks

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, ka humbur një betejë ligjore për të asgjësuar një urdhër arrest të Mbretërisë së Bashkuar, e cila do t'i kishte mundësuar të largohet i lirë nga Ambasada e Ekuadorit në Londër.

Ekipi ligjor i Assange më parë bëri një kërkesë për gjykatësen e lartë të qarkut Emma Arbuthnot, në Gjykatën e Magjistratëve të Westminsterit, për tërheqjen e urdhëresës duke argumentuar se ajo kishte “humbur qëllimin dhe funksionimin e saj”.

“Ai (Assange) ka kaluar pesë vjet e gjysmë në kushte të cilat, sipas çdo pikëpamjeje, janë të ngjashme me burgim, pa qasje në kujdesin e duhur mjekësor ose dritën e diellit, në rrethana ku shëndeti i tij fizik dhe psikologjik është përkeqësuar dhe janë në rrezik serioz”, thanë avokatët e Assange në aplikimin e tyre.

Ata thanë se problemet mjekësore të Assange përfshin “një dhëmb jashtëzakonisht të sëmurë, bllokim të shpatullës dhe depresion”.

Assange është strehuar në Ambasadën e Ekuadorit që ndodhet në Knightsbridge, në Londrën qendrore për gati gjashtë vite pasi ka kërkuar azil diplomatik në qershor të vitit 2012, pasi që ishte kërkuar nga prokurorët suedezë për ta marrë në pyetje lidhur me akuzat për abuzime të ndryshme seksuale.

Ai duhej të ekstradohej në Stokholm nga autoritetet britanike para se të hyjë në ambasadë.

Aaron Watkins, që përfaqëson Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, tha se argumentimi i Assange për heqjen e urdhëresës ishte “i çuditshëm dhe i papërshtatshëm”.

“Assange ishte liruar me kusht në procedurat. Ai kishte për detyrë të dorëzohej në paraburgim të gjykatës dhe ai dështoi të dorëzohej në kohën e caktuar për ta bërë këtë. Prandaj një urdhër qëndron”, tha Watkins.

Artikuj të ngjashëm