Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania thotë se i duhen punëtorë të huaj

Me qëllim që të shmangë mungesën e punëtorëve, në Gjermani duhet të ndodhë një migrim i shkallës së gjerë.

Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Robert Habeck i cili argumentoi se mungesa e fuqisë punëtore minon produktivitetin dhe vë në rrezik tranzicionin e suksesshëm të energjisë.

“Ne tani kemi 300,000 vende të lira të punës dhe ne presim që ky numër të arrijë deri në një milion”, tha ai të martën gjatë një konference për media, transmeton REL.

“Nëse nuk arrijmë të mbushim zbrazëtirën, ne do të kemi probleme reale të produktivitetit”, shtoi ai.

Habeck tha se trajnimet për punë do të ndihmonin shumë, por migrimi më i madh do të jetë thelbësorë “për inxhinierët, zejtarët” dhe profesionet e tjera.

Kosova është një nga shtetet ku një numër i madh i qytetarëve ka ikur qe disa vjet në drejtim të Gjermanisë për punë. Ditë më parë, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë bëri të ditur se për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ka pranuar gjithsej 56 mijë e 639 aplikime. Ata kanë aplikuar për një prej rreth 460 terminëve që ka në dispozicion kjo ambasadë për këtë muaj. Por shifra e atyre që nuk duan të jetojnë në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë. Kjo pasi ka edhe shumë të tjerë që synojnë të largohen edhe nëpërmjet vizave që mund të sigurojnë nga shtetet e tjera.

Artikuj të ngjashëm